
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Itali. Mësohet se një i ri shqiptar ka humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur pasi janë përplasur.
Tentativa e dy të rinjve shqiptarë për t’u arratisur me një makinë të vjedhur përfundoi në tragjedi mëngjesin e sotëm në Bologna të Italisë.
Bëhet me dije se automjeti tip Audi që kishin vjedhur, u përplas me një shtyllë teksa po ndiqeshin nga policia dhe për pasojë ndërroi jetë njëri prej tyre, 18-vjeç, ndërsa tjetri, 19-vjeç u dërgua në spital. Ende nuk janë zbardhur identitetet e dy shqiptarëve.
Shofer ishte 19-vjeçari, i cili humbi kontrollin e automjetit në kryqëzimin Via Murri dhe Via dei Lamponi për shkak të shpejtësisë së lartë ndërsa po ndiqej nga policia, duke u përplasur me shtyllën dhe më pas me disa makina të tjera të parkuara.
Sipas policisë, dy të rinjtë i ikën një kontrolli të makinës policore patrulluese pasi ishte ndalur në semaforin e kuq. Sapo semafori u bë jeshil, makina u largua me shpejtësi dhe efektivët e ndoqën nga pas. 18-vjeçari rezultonte i dënuar për vjedhje dhe rezistencë gjatë arrestimit, ndërsa 19-vjeçari nuk ka precedent të mëparshëm penalë.
Lini një Përgjigje