
Efektivi i Policisë Altin Morina, i cili u arrestua me 113 mijë euro në makinë rezulton të jetë i përjashtuar edhe me herët nga radhët e policisë, por kanë qenë gjykatat ato që e rikthyen në detyrë.
Report TV disponon vendimin e Gjykatës së Lartë të dhënë në dhomë këshillimi vetëm një muaj më parë në 2 shkurt 2023, duke rrëzuar rekursin e Policisë dhe duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit që e riktheu në detyrë dhe detyroi policinë ta dëmshpërblente Morinën me 8 paga.
Në vendimin e gjykatës thuhet se paditësi Altin Morina ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë specialist taktike në Seksionin e Operacioneve dhe Trajtimit, në Komisariatin e Policisë Tiranë.
Ndaj tij ka filluar procedimi disiplinor pasi ka shkelur nenet 60 dhe 62 të ligjit Për Policinë e Shtetit” si dhe nenin 11, pikat 5, 6 dhe 12 të Rregullores së Disiplinës së Policisë për (ushtrim dhune dhe zbatim të urdhrit të gabuar). Për këto arsye me datë 06 janar 2015, Drejtorit i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në atë kohë, Artan Didi i ka dhënë masën disiplinore “Përjashtim nga Policia” vendim i lënë në fuqi edhe nga Komisionit të Apelimit, datë 02 shkurt 2015, që e ka konsideruar të motivuar masën disiplinore.
Morina në atë kohë i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë e cila 11 shkurt 2015 ka vendosur “Pranimin pjesërisht të kërkesë së Altin Morinës dhe detyrimin që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë t’i paguajë 8 muaj paga dëmshpërblim për përjashtim të paligjshëm nga policia.
Por ky vendim është ankimuar nga efektivi në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila më 01 tetor 2015, ka shfuqizuar edhe vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm për përjashtimin e Morinës dhe ka lënë në fuqi detyrimin për ti paguar 8 paga. Policia ka bërë rekurs kundër Apelit Administrativ. Por ishte po Policia e Shtetit që në datë 30 dhjetor 2022 ka hequr dorë nga rekursi. Dhe në këto kushte Gjykata e Lartë në 2 shkurt të këtij viti vendosi rrëzimin e rekursit duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit.
Më 14 Mars, efektivi i RENEA-s Altin Morina u arrestua në zonën e Kodrës së Diellit teksa po lëvizte me automjetin tip ‘Audi’, brenda së cilës kishte shumën e parave dhe 4 celularë që u sekuestruan në cilësinë e provës.
Para trupit gjykues ku iu caktua masa e sigurisë ‘arrest me burg’, deklaroi se paratë ia mora një biznesmeni 20 minuta para arrestit për problemet e tij personale. Në seancën gjyqësore, Morina tregoi edhe emrin e biznesmenit të ndërtimit duke shtuar se ka dokumentacionin por nuk e dorëzon pasi e ka në dorë prokuroria për t’i vërtetuar. Efektivi i RENEA-s theksoi se është i gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë.
Celularët e sekuestruar do të vërtetojnë nëse është i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan pasi ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt.
Neni 61/ Detyrimi për të zbatuar urdhra të bazuar në ligj
1. Një punonjës i Policisë duhet të zbatojë të gjithë urdhrat që i jepen nga një person më i lartë në funksion ose në gradë.
2. Kur një punonjës i Policisë ka shkaqe të mjaftueshme të dyshojë se urdhri i dhënë nga eprori i tij është i paligjshëm, ai duhet, pa vonesë, t’ia bëjë të ditur eprorit dhe të kërkojë që urdhri të jepet me shkrim.
3. Punonjësi epror i Policisë ka detyrimin të japë urdhrin me shkrim, në rast se kërkohet sipas pikës 2 të këtij neni.
4. Në rastet kur moszbatimi i urdhrit deri në dhënien me shkrim të tij, sipas pikës 3 të këtij neni, rrez ikon jetën e një personi tjetër, punonjësi i Policisë duhet të zbatojë urdhrin.
5. Kur një punonjës policie, edhe pas zbatimit të procedurave, sipas pikës 2 ose 3 të këtij neni, vazhdon të ketë arsye për të dyshuar se urdhri është i paligjshëm, ai kryen veprimet e mëposhtme:
a) kundërshton urdhrin, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 4 të këtij neni;
b) vë menjëherë në dijeni titullarin, i cili është drejtpërdrejt mbi eprorin që e ka dhënë urdhrin, si dhe për masat e marra prej tij, sipas këtij neni.
Neni 62/ Detyrimi për të respektuar dinjitetin dhe integritetin fizik
Punonjësi i Policisë, në çdo rast, duhet të respektojë dinjitetin dhe integritetin fizik të çdo punonjësi tjetër të Policisë, përfshirë edhe vartësit e tij.