
Gjykata e Dibrës zbut masat dhe liron me kërkesë të Prokurorisë 4 të arrestuarit lidhur me vdekje të ndodhur në minierën e Bulqizës më 7 gusht. 66-vjeçari Fari Veliu, me detyrë minator humbi jetën si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor.
Ferit Truka, 61 vjeç dhe Besnik Çupi 68 vjeç do të hetohen në gjendje të lirë, kurse Ervis Kadiu, 35 vjeç dhe Edmond Xhafa, 51 vjeç, u lanë në masat “arrest shtëpie”.
Të katërt janë punonjës të stafit teknik të kompanisë minerare, të cilët akuzohen për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ata duhet të kishin marrë masat e sigurisë që minatori Veliu mos të goditej nga masivi i mineralit në galeri gjatë aksidentit.
Prokuroria kërkoi vlerësimin e ligjshëm të arrestimeve, por gjithashtu edhe zbutjen e masave pas arrestimit nga Policia e Dibrës dy ditë më parë.
Policia njoftoi se kishte arrestuar edhe 46-vjeçarin Njazi Përkola, gjithashtu pjesë e stafit teknik, por masa ndaj tij nuk është zhvilluar ditën e sotme dhe nuk ka njoftim për të.
Gjykata zhvilloi seancë me dyer të mbyllura dhe dha vendimin lidhur me çështjen penale Nr. 63, e regjistruar më 8 gusht, për vlerësim të ligjshëm të arrestit ndaj 4 të të dyshuarve.
Policia njoftoi dje se ishin arrestuar 5 punonjës të kompanisë minerare "Gerti Sh.p.k,", ku ishte i punësuar 66-vjeçari Fari Veliu, i cili humbi jetën ditën e djeshme në një minierë kromi në Bulqizë, si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor.
Lini një Përgjigje