TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Gusht 2025, 15:33

Trafik armësh me autobus drejt Italisë, arrestohet koka e grupit kriminal në Lezhë; në pranga edhe 2 shoferët

Shkruar nga Pamfleti

Trafik armësh me autobus drejt Italisë, arrestohet koka e grupit

Kreu i një organizate kriminale të trafikut të armëve mes Shqipërisë dhe Italisë është arrestuar nga Policia e Lezhës ditën e sotme, në bashkëpunim edhe me Guardia di Financën dhe zyrën e ekspertit në Ambasadën Italiane në Tiranë.

30-vjeçari Françesk Mecaj, nga Malësia e Madhe, me precedent penal të theksuar në Milano të Italisë dhe i dënuar dy herë si kreu i grupit në Lecco për armë dhe trafik droge, u arrestua si rezultat i operacionit të koduar “Dërgesa”.

Në pranga ranë edhe dy persona të tjerë, drejtues të mikrobusit për transport udhëtarësh Shqipëri-Itali, në bagazhet e të cilit u gjet armatimi. Ai akuzohet se kishte dërguar 5 armë zjarri dhe municion drejt vendit fqinj.

"30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos/Itali, u arrestua si rezultat i operacionit. Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak. Sekuestrohen 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov; qindra fishekë luftarakë dhe 4 krehra fishekësh", njoftoi policia.

Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga të dyshuarit E. M. dhe A. D.

"Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar. Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme", vijoi policia.

Materialet procedurale ndaj Mecajt i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.

Lini një Përgjigje