
Policia ka arrestuar një prej autorëve të dyshuar, për tritolin e vendosur në një lokal në datën 18 korrik. Në pranga është vënë 46-vjeçari Hysni Lila, i cili akuzohet se i dha motorin autorit të dyshuar dhe u përdor për vendosjen e tritolit në garazhin e Elvis Kosovës.
Nga hetimet ka rezultuar se motomjeti që u përdor për vendosjen e lëndës plasëse ishte në pronësi të 46-vjeçarit, i cili dyshohet se ia ka dhënë për përdorim autorit të ngjarjes.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në ngjarje.
“Në vijim të punës intensive hetimore me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 18.07.2025 ku u vendos një sasi me lëndë plasëse në një lokal në Rrugën e Durrësit, është bërë e mundur identifikimi, kapja e ndalimi i shtetasit H. L., 46 vjeç, banues në Lushnje.
Nga hetimet ka rezultuar se motomjeti që u përdor për vendosjen e lëndës plasëse ishte në pronësi të 46-vjeçarit, i cili dyshohet se ia ka dhënë për përdorim autorit të ngjarjes”, njoftoi policia.
39-vjeçari Elvis Kosova është pronari i garazhit që iu vendos tritol, një emër i njohur për policinë me precedent të mëparshëm penal.
I njohur ndryshe si Visi i garave, apo Visi i makinave te shpejta, ai u arrestua në gusht të vitit 2024 për shkak se u akuzua për vjedhjen e një Audi R8 me vlerë 200 mijë euro. Lidhur me këtë rast, bashkë me të u vu në pranga edhe një shtetas turk.
Shtetasi turk kishte marrë me qira një automjet të markës ‘Audi’ në Gjermani. Pasi kishte hyrë në territorin shqiptar, automjeti iu dorëzua Elvis Kosovës, i cili dyshohet se ka manipuluar situatën për ta përvetësuar automjetin. Shtetasi turk më pas bëri një kallëzim pranë autoriteteve duke pretenduar se automjeti i ishte vjedhur pranë një hoteli afër stadiumit “Air Albania” në Tiranë.
Lini një Përgjigje