Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Kamëz, ku humbi jetën 27-vjeçari Ardian Baloshi, i cili dyshohet se u qëllua për vdekje nga Sadik Llanaj, aktualisht në kërkim nga policia.
Raportohet se, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 10 gëzhoja, ndërsa nga të dhënat paraprake rezulton se viktima është goditur me një plumb në kokë.
Krimi ndodhi në rrugën “Dervish Luzha”, ku autori i dyshuar ka hapur zjarr në drejtim të Baloshit. Burime nga hetimi bëjnë me dije se në momentin e atentatit, me viktimën ndodhej edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka qenë gjithashtu në shënjestër të sulmit.
Fatmirësisht, shoku i Ardian Baloshit ka arritur t’i shpëtojë plumbave dhe nuk ka pësuar lëndime.
Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje.
Sipas policisë, 39-vjeçari Sadik Llanaj konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Autoritetet dyshojnë se ai vijon të lëvizë i armatosur, ndaj u kanë bërë thirrje banorëve të Kamzës dhe zonave përreth, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë menjëherë policinë për çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij.
Në kuadër të operacionit për kapjen e 39-vjeçarit, Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo person që siguron informacion të saktë që çon në gjetjen dhe arrestimin e Sadik Llanajt.
Lini një Përgjigje