TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Tetor 2025, 13:48

Zhdukja e Ervis Martinajt, Dervishi: Ka shumë pasuri në mes, SPAK duhet ta merrte në dorë çështjen

Shkruar nga Pamfleti
Zhdukja e Ervis Martinajt, Dervishi: Ka shumë pasuri në mes, SPAK
Gazetari Ferdinand Dervishi

Gazetari Ferdinand Dervishi thotë se kërkesën e familjes së Ervis Martinaj për ta shpallur zyrtarisht të zhdukur pas më shumë se dy vitesh mungesë, e sheh si mënyrë për të lejuar familjarët që të bëjnë veprime ligjore me pasuritë.

Ai deklaroi se çështjen e zhdukjes së tij duhet ta merrte SPAK në dorë dhe në momentin që lanë në Prokurorinë e Kurbinit, tregoi se nuk po i bihen pas.

Sipas tij, nëse do e kishte marrë SPAK në dorë çështjen, do ishte ecur shumë më mirë me këtë çështje. 

"Martinaj është një personazh që shkakton goxha interes. Ai është zhdukur në gusht 2022, sot jemi tre vjet mbas. 

Këto janë procedura jo dhe aq formale që të shpallet i zhdukur. Sepse pas shpalljes si i zhdukur personat e familjes mund të bëjnë veprime gjyqësore dhe hipotekore, se kemi një njeri që nuk rezulton më në trungun familjar.

I ati me sa di unë ka pasur pasuri dhe më para. Kemi urdhra të SPAK për pezullimin e 35 pasurive. Nëse shpallet i zhdukur, familja ka mundësi që të shpëtojë çfarë mundet. Pasuritë i takojnë familjes, sipas ndarjes dhe përqindjes. 

Shpallja e tij të zhdukur nuk ndikon në hetimin pasuror, nëse vërtetohet se janë produkt krimi. Kjo historia e zhdukjes së tij është goxha e komplikuar. 

Për zhdukjen e tij janë organizuar mbase dhe 100 njerëz të armatosur, më përpara grupe të tëra, për t’i prerë atij krahët dhe më pas vrarë djalin e xhaxhait. 

Kjo është një ndërmarrje shumë e fuqishme dhe ai nuk ishte vetëm, kishte një grup njerëzish me peshë në botën e krimit. Nga ana tjetër ishte krijuar një grup më i fuqishëm që arriti ta mundte, fillimisht duke i prerë të gjithë krahët. 

Kërkesa e prindërve për ta shpallur të zhdukur, më lë të kuptoj se deri vonë prindërit kanë pasur dyshime nëse është gjallë apo jo. Mund të kenë pasur të dhëna, por besoj se të gjitha këto janë thashetheme. Unë besoj se prindërve nuk iu është çuar asnjë provë nga autorët dhe ata kanë pasur bindjen se mund të jetë zhdukur vetë. 

Në përgjimin e dikujt nga jashtë shtetit me një familjar, afrohej zëri me atë të Ervis Martinaj, por nuk erdhi ndonjë përfundim që të ishte i saktë. Mendoj që kjo telefonatë nga jashtë shtetit është bërë për ta mbajtur gjallë këtë histori. 

Zhdukja e Martinaj ka ndodhur në një kohë kur dolën përgjimet e Sky-Encro. Vis Martinaj ka përdorur një aplikacion tjetër, nuk e di nëse këto përgjime janë gjetur, i përkasin datës së zhdukjes së tij. 

Nëse zbulohet kjo, mund të zbardhet krimi. Nëse SPAK do e marrë këtë dosje, do ishte shumë në avantazh që të bëhej kjo goditje. 

Nuk ka asnjë dyshim që Ervis Martinaj nuk është gjallë. Di që hetues kanë shkuar dhe te vila e Avdulajve në Shijak, dhe kanë kontrolluar centimetër për centimetër për ndonjë gjurmë të Martinaj. Nuk është se policia nuk e di se çfarë ndodhte.", tha ai për Mcn.

zhdukja e ervis martinajn

Lini një Përgjigje