Kulture 2 Mars 2023, 12:48

579 vjet nga Kuvendi i Lezhës, çfarë u vendos më 2 mars 1444

Shkruar nga Pamfleti

579 vjet nga Kuvendi i Lezhës, çfarë u vendos më 2 mars

‘Etër dhe princër fort të nderuar, dhëntë Zoti e pushofshin të krishterët tanë së besuari dhe më në fund, njëfarë neverie na majttë ne larg besës otomane, ose, më drejt, larg pabesisë së tyne mëse kartagjenase’, kështu e nisi fjalën e tij Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 2 mars 1444 në Kuvendin e Lezhës.

Sot, pas 579 vitesh, fjalët e tij janë më të nevojshme se kurrë për të ngjallur në zemrat e njerëzve atdhedashurinë. Më tej, biri i Kastriotëve, që zgjodhi mëmëdheun dhe jo përfitimet e Portës së Lartë Osmane, vazhdon:

Dhe unë sot, sigurisht nuk do të turbulloj qetësinë e atdheut, si një iniciator, ndoshta i urryer i një lufte të re dhe nuk do t’ju shtyja juve me ngut në këto vështirësi e rreziqe të luftës për interesa të larta, sikur Gjon Kastrioti, babai im i dëgjuar, e nga ana tjetër, një princ shumë i urtë të mos i kishte zënë aq fort besë këtij Murati të pabesë, kur nën pretekstin e paqes, arriti t’i merrte rob e peng për siguri të bijtë. Por ç’të qahesh më tej për prindin tim? Ky është një gabim i përgjithshëm, një fat i përbashkët i të gjithë princërve të krishterë. Ç’të them për fuqinë e grekëve, të misëve dhe pastaj të princërve të tjerë të krishterë? Të gjithë këta, s’ka dyshim që i zhduku një besim i tillë i tepruar dhe tani s’u ka mbetur asgjë nga otomani i pabesë, veçse mundësia për t’u penduar.

Prandaj nuk mbetet asgjë, o etër të këtij Kuvendi…

Por ja, do të thoshte kush, shumë gjëra otomani i ka shtënë në dorë edhe me trimëri. Krahina të panumërta dhe mbretëri të shumta i ka vënë nën zgjedhë në ditët tona me anë të armëve, e do të numëronte fitoret e pambaruara të tij: Hyri krenar në Azi, i ra jo një herë anë e mbanë Greqisë dhe pa derdhë pikën e gjakut, u fut kaq herë në Misi. Pra, mos kujtoni vallë se ai e paska aq të lehtë të godasë Arbërinë e pamposhtur, Epirin e pathyeshëm. Arbrin, Epirin, ku gjithë këta kapedanë, gjithë këta princër të pathyeshëm, gjithë këta popuj fort luftarakë janë në vlug të fuqisë me armë në dorë, e të bashkuar! Dhe me të vërtetë, se sa e çmojnë barbarët dhe se sa e llogarisin trimërinë tuaj, për këtë, dëshminë më të sigurtë mund ta keni nga unë, që kam kaluar shumë vjet me ta në paqe e në fushë. Me pahir e me përdhunë, i binden nevojës për të luftuar kundër jush…

Por ndërsa dëshira ime për të folur dhe arsyeja e një pikëllimi të përligjur po më shtyjnë që të zgjatem, unë po e them hapur se do të ketë shumë nga ata që janë mësuar për një kohë kaq të gjatë me paqen, megjithëse jo krejt të ndershme, dhe prandaj mund të hidhërohen ngaqë nuk i ftoj tani për këto luftëra të vështira dhe mund të thonë se sido që të marrë puna e fatit, asgjë s’mund të kryhet pa gjakun e tyre. Do të pikëllohen gjithashtu nënat, që do të duhet t’i dërgojnë bijtë në luftëra të rrezikshme, do të vajtojnë gratë; të shqetësuara për fatin e burrave, dhe fëmijët e vegjël, të lënë në shtëpi, nga frika se mos mbeten jetimë. E ndoshta të gjithë do të më quajnë gjakatar, gjë që tmerrohem kur e mendoj dhe do të më mallkojnë si një shkaktar të papritur luftërash të rrezikshme dhe të gjakshme…

… Vetë përfundimi i luftës si një gjykatës i drejtë, do të tregojë për së shpejti në është bërë çdo gjë mirë, apo keq. Vetëm për një gjë do të guxoj unë t’ju zotohem juve të gjithëve, se në të gjitha punët e mundimshme që do të na duhet të hyjmë, në të gjithë rreziqet që do të jetë nevoja të përballojmë, mua do të më keni ushtar apo kapedan me durim të pathyer. Çështjes suaj e të krishtërimit, unë s’kam për t’i munguar as ditë as natë, asnjëherë…

Por sido që të ndodhë në këtë mes, ne të paktën s’kemi për t’u penduar për qëllimet tona, sepse unë gjatë gjithë asaj kohe që jetova me armikun, ia mësova dhe ia di shumë mirë lëkurën, dhelpëritë, mashtrimet e gjithë zakonet me radhë, gjë e cila është shumë e rëndësishme në punët e luftës…

(Në këtë luftë) do të kemi me vete Senatin dhe popullin e Venedikut, të vetmen shtyllë të fesë së krishterë, më të fuqishme sot në det e në tokë, që mund t’i krahasojë triumfet e veta me gjithë triumfet që mbahen mend në historinë njerëzore dhe që mund të matet me të tjerë për çfarëdolloj lavdie…

…Fjala që ka marrë dhenë dhe thëniet e të gjithëve, pohojnë se një ushtri shumë e madhe po gatitet pareshtur kundër nesh dhe me energji nga më të mëdhatë që mund të bëhen. Prandaj i duhet dhënë fund çdo vonese, o etër të Kuvendit, duhen lënë mënjanë këto këshillime tona, për të cilat nevojat e luftës s’kanë kohë të presin. Duhet t’i bien anë e mbanë gjithë vendit, duhet të shpallet vendimi, duhen numëruar kokë për kokë njerëzit, të shkruhen pa humbur kohë ushtarët, me qëllim që të mos i kërkojmë mënyrat e luftës kur të jetë vonë, atëherë kur të kemi armikun përpara dhe kur buçima e borive për të thirrur ushtarët, të na shurdhojë veshët.

Ngrihuni pra, o etër të pathyeshëm, tregohuni më në fund, me ndihmën e perëndive, të denjë për sundimin e krishterë para gjithë brezave që do të vijnë këtej e tutje. Falenderimet nga unë për mirësinë e sotme, pritni të armatosur, me përkrenare në krye, para flamujve, në djersë, në pluhur dhe do t’i keni sipas ndihmave që do të jepni për luftën…

Themelet e Kuvendit të Lezhës, sipas Marin Barletit tek ‘Historia e Skënderbeut’

Për t’ia arritur këtij qëllimi, Skënderbeu sapo mori Krujën. filloi bisedimet paraprake me bujarët shqiptarë. Këto bisedime, vazhduan edhe në fillim të vitit 1444. Fitoret që po korrte Huniadi, lajmet që qarkullonin në ato muaj se në vendet e ndryshme të Evropës qëndrore e perëndimore po bëheshin përpjekje për të organizuar një fushatë të re ushtarake kundër turqve, suksesi i shpejtë që korri Skënderbeu në çlirimin e zotërimeve të Kastriotëve si dhe gadishmëria e mbarë popullit për të luftuar kundër turqve, i bindi bujarët shqiptarë se kishte ardhur koha që të çliroheshin edhe ata nga zgjedha e sulltanit dhe të rifitonin zotërimet e tyre të mëparëshme. Ne këto rrethana, ftesa e Skënderbeut për të mbajtur një kuvend të përgjithshëm gjeti pëlqimin e pothuajse të gjithë bujarëve shqiptarë. Kuvendi u vendos të mblidhej në fillim të marsit. Mbledhja u caktua të bëhej në qytetin e Lezhës që ishte nën zotërimin e Venedikut, për të mos ngjallur dyshimin e republikës dhe për të evituar pakënaqësinë e bujarëve, që mund të shkaktohej në qoftë se mbledhja bëhej në një nga domenet feudale. Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës u ftuan të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kuvend.

Kuvendi u çel më 2 mars 1444 pranë katedrales së Shën Kollit të Lezhës. Midis bujareve që moren pjesë në kuvend qenë udhëheqësit e kryengritjeve të mëparëshme: Gjergj Arianiti, Andre Topia, Nikollë Dukagjini dhe Teodor Korona Muzaka. Personalitete të tjera të rëndësishme qenë gjithashtu Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani,Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviçi dhe mjaft feudalë të tjerë. Në kuvend morën pjesë edhe përfaqësues të fiseve malësore.

Çfarë u diskutua

Çështja kryesore që u bisedua në kuvend qe ajo e bashkimit të vendit në luftën kundër turqve. Skënderbeu, pasi u foli pjesëmarrësve të kuvendit mbi të kaluarën e tij dhe arsyet që e kishin detyruar të shërbente si sanxhakbej i sulltanit, u theksoi atyre nevojën e bashkimit të forcave të vendit për të marrë pjesë në luftën kundër turqve tani që fitorja e hungarezëve kishte hapur perspektiva për çlirimin e popujve të Ballkanit. Në përfundim të bisedimeve, bujarët shqiptarë, megjithëse në shumë çështje kishin divergjenca të theksuara, u shprehën në mënyrë të njëzëshme për bashkimin e tyre në luftë kundër turqve, bashkim ky në shkallë kombëtare që ndodhte, nga sa dihet, për të parën herë në historinë e Shqipërisë feudale. Me pëlqimin e pjesëmarrësve kuvendi vendosi formimin e një besëlidhjeje e cila njihet me emrin “Lidhja shqiptare”, ose “Lidhja e Lezhës” Lidhja shpalli Skënderbeun kryetar të saj.

Vendimet e Kuvendit

Një vendim tjetër me rëndësi që mori kuvendi i Lezhës qe formimi i një ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin si Skënderbeu ashtu dhe bujarët e tjerë në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua gjithashtu Skënderbeu, me titullin “kapiten i përgjithshëm ndërsa komandantët e reparteve të veçanta do të caktoheshin nga vetë bujarët. Përveç ushtrisë, kuvendi vendosi të krijonte edhe një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Fondi do të krijohej me kontributet që do të jepnin bujarët shqiptarë si dhe me një pjesë të të ardhurave të kriporeve të Shën-Kollit që ndodheshin në veri të Durrësit. Kontributi që premtuan të jepnin bujarët arriti në shumën e rëndësishme prej 200 mijë dukatësh ari.

 

 

kuvendi i lezhes