TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES22 Qershor 2026, 20:42

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e kastës politike, 23 ditë revoltë dhe protestë

Shkruar nga Pamfleti
10 ORE ME PARE

“Do ia ndjesh krismën diasporës shumë shpejt”, protestuesi paralajmëron Ramën!

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Protestuesi nga diaspora

Një protestues nga diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe u shpreh se ardhja e shqiptarëve nga jashtë vendit është një mesazh i fortë për qeverinë dhe kryeministrin Rama, për të cilin tha se “u lemerit” kur i pa në shesh.

Më tej, ai deklaroi se përfshirja e diasporës do të vijojë dhe se shqiptarët jashtë vendit po riorganizohen për të arritur kërkesat e protestuesve.

“Edi Rama u lemerit kur pa zërin e diasporës që po vjen këtu. Kam marrë një lançim nga Edi Rama dhe nga i gjithë enturazhi i tij, sepse duhet të na bëjnë me baltë. Ai ka bërë një autogol, sepse përkrahja e diasporës është rritur edhe më shumë dhe ne po riorganizohemi që të ulemi, jo vetëm shqiptarët e Britanisë, por shqiptarët e krejt diasporës, dhe do t’ja ndiesh krismën shpejt”, tha ai ndërsa iu drejtua kryeministrit duke i kërkuar dorëheqjen dhe ndryshe nga mënyra s’i erdhi në pushtet, do largohet me turp”, u shpreh protestuesi.

Protestuesi: Unë jam Bledar Meti, vij nga Britania dhe bashkë me përfaqësinë e diasporës organizuam ardhjen në atdhe, nga toka, nga ajri dhe nga deti, për të qenë këtu me ju.

Edi Rama u lemerit kur pa zërin e diasporës që po vjen këtu. Kam marrë një lançim nga Edi Rama dhe nga i gjithë enturazhi i tij, sepse duhet të na bëjnë me baltë.

Unë vij nga një familje patriotike. Kur gjyshi im, pas kryengritjes së Postribës në vitin 1948, strehoi një nga pinjollët Kazazi, që e organizoi protestën e Postribës, dhe kur komunistët e kuq e zbuluan se ku ishte i fshehur, ai vendosi që ta kalonte përmes autokolonës, përmes grupit të partizanëve komunistë, dhe rrezikoi për të marrë plumbin në ballë. Kur gjyshi im mori rrezikun për t’i shpëtuar jetën Kazazit, pinjollit të famshëm, mua nuk më tremb balta e komunistëve.

Ai ka bërë një autogol, sepse përkrahja e diasporës është rritur edhe më shumë dhe ne po riorganizohemi që të ulemi, jo vetëm shqiptarët e Britanisë, por shqiptarët e krejt diasporës, dhe do t’ja ndiesh krismën shpejt. Përgëzoj grupin nismëtar. Kjo protestë është politike, që kërkon dorëheqjen e qeverisë pa kushte.

Të gjithë ju, bashkë me diasporën, kërkojmë një qeveri teknike, ndryshime kushtetuese, sepse me këtë kod elektoral që kemi, zotërinë e Surrelit do e përcjellim nga këtu në banesën e fundit. I kërkojmë Edi Ramës dorëheqjen. Ti erdhe këtu si shpresa, por do ikësh me turp.

 

10 ORE ME PARE

“Nuk përçahemi”, mesazhi i fortë i banores së Rrjollit: Kjo protestë shkon përtej bindjeve politike e fetare!

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Luçiana Kokaj

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” vijon i mbushur plot edhe sot, në ditën e 23-të të protestës masive mbarëpopullore kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.

Gjatë fjalës së saj, Luçiana Kokaj vuri theksin te nevoja emergjente për një kontratë të re sociale dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kërkuar që vendimmarrja t’i kthehet sovranit përmes referendumeve.

“Kemi shprehur kërkesat tona, ku kërkojmë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama. Nuk jemi këtu për të bërë parti politike. Jemi për të kërkuar një kontratë të re sociale të qytetarëve me shtetin, ku të mos jenë 140 deputetë që vendosin për fatet tona, të mos jenë ata deputetë me lista të mbyllura që vendosin për ne, por të kemi ne të drejtën për të vendosur për fatet tona. Do jenë edhe ekspertët që do japin mendimet e tyre për kërkesa juridikisht të sakta. Kushtetuta e Shqipërisë e njeh referendumin, por këta kanë manipuluar ligjet dhe këtë do e ndryshojmë ne nga ky shesh!”, deklaroi ajo.

Më tej, protestuesja bëri një thirrje të prerë për të gjithë ata që tentojnë të përçajnë frymën e tubimit, duke sqaruar se kauza është kombëtare dhe i tejkalon ndasitë partiake, fetare apo krahinore.

“Çdo ditë që do jetë protesta, do jeni ju që e vendosni. Zëri juaj do dëgjohet deri në fund dhe nuk do jetë askush të negociojë në kurrizin tuaj. Kam edhe një thirrje për ata që mundohen të përçajnë protestën: Kjo protestë shkon përtej bindjeve politike e fetare apo ndasive krahinore. Jemi këtu për Shqipërinë! Ju bëj thirrje të gjithë atyre që kanë dëgjuar një deklaratë të keqinterpretuar, që nuk kemi asnjë ndarje fetare e krahinore. Jemi të gjithë së bashku këtu, përtej të gjitha fjalëve që mundohen të na ndajnë. Nuk jemi këtu për çështje ndërkombëtare, por për të pastruar shtëpinë tonë, Shqipërinë! Duhet të jemi çdo ditë e më shumë dhe më të bashkuar. Rama jep dorëheqjen!”, përfundoi ajo.

11 ORE ME PARE

Apel nga sheshi për SHBA dhe BE: Mbështesni popullin, jo Ramën

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Pamje nga protesta

Nga protesta e 23-të radhazi para Kryeministrisë, protestuesit vijuan me thirrjet kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa një pjesë e fjalimeve iu drejtuan edhe faktorit ndërkombëtar.

Një prej protestuesve deklaroi se shqiptarët janë populli më pro-amerikan dhe ndër më pro-evropianët, duke kërkuar që partnerët ndërkombëtarë të mbështesin qytetarët që po protestojnë.

Një thirrje për Parlamentin Europian. Jemi popull evropian dhe kjo protestë e ka treguar. Të gjithë eurodeputetëve u bëj thirrje të mbajnë një qëndrim, të pozicionohen në krah të popullit më evropian dhe jo të një diktatori”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, protestuesi iu drejtua edhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, duke kërkuar angazhim për të shmangur tensionet.

Kam një thirrje për ambasadorin e SHBA-së, Eric Wendt. Ai ka një kulturë ushtarake dhe e kupton. Kur një diktator e shtyp popullin e vet, cila është mënyra që mund ta rrëzojmë atë diktator? Ne e dimë që është protesta. Të lutem zoti ambasador, parandalo çdo konflikt e incident. Ambasada duhet të ndërhyjë, sepse jemi populli më pro-amerikan në botë dhe ky popull ka nevojë për aleatët e tij”, tha protestuesi.

Gjatë tubimit, një tjetër pjesëmarrës u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin dhe të mos bien pre e përçarjeve.

I bëj thirrje të gjithëve që të bashkohen. Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për ju. Qeveria ka futur të gjithë mekanizmat për ta përçarë këtë protestë. Bashkohuni, sepse bashkë nuk na rrëzojnë dot”, u shpreh ai.

Protesta para Kryeministrisë po zhvillohet në ditën e 23-të radhazi, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

11 ORE ME PARE

“Ky popull nuk toleron më”, qytetarja para Kryeministrisë: Ta zhdukim këtë diktaturë!

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Qytetarja para Kryeministrisë

Mijëra qytetarë u mblodhën edhe këtë të diel para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, në ditën e 23-të të protestave kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Gjatë tubimit, një protestuese mori fjalën në podiumin e improvizuar, duke iu drejtuar pjesëmarrësve si nënë e fëmijëve emigrantë dhe duke shprehur shqetësimin për largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Ajo deklaroi se emigracioni i të rinjve është pasojë e mungesës së perspektivës në vend dhe u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve, të bashkohen me protestën dhe të mos largohen nga sheshi.

"Flas si nënë me fëmijë me emigrim. Presim telefonatat me mall. Me dhimbje i përcjellim në emigrim. Ky kryeministër i çmendur na i largoi fëmijët tanë. Pa pikë turpi thotë i keni lënë prindërit të vdesin të vetëm. E gjithë rinia po largohet sepse këtu nuk ka të ardhme. Kemi një rini të mrekullueshme të mirëshkolluar.

Çfarë po ndodh me këtë vend. Ta zhdukim këtë diktaturë. Kur ka filluar protesta ka ikur nga memoria. Vuri në parlament Zegjinenë. Ky popull nuk toleron më asnjë. A e dinë këta njerëz që do vdesin një ditë. Të bashkoheni sa më shumë dhe të mos shpërbëhet kjo protestë."-u shpreh protestuesja. 

 

11 ORE ME PARE

Protestuesit thirrje SPAK-ut: Hetoni pasurinë e Edi Ramës dhe rrethit të tij!

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Familja Rama & Pamje nga protesta

Në ditën e 23-të të protestës para Kryeministrisë, pjesëmarrësit kërkuan hetime për kryeministrin dhe llogaridhënie nga institucionet

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë ka vijuar edhe sot, ndërsa pjesëmarrësit kanë përsëritur thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kanë kërkuar veprim nga institucionet e drejtësisë.

Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, një prej pjesëmarrësve deklaroi se qytetarët kanë detyrimin të kërkojnë llogari kur humbin besimin tek institucionet dhe kur, sipas tij, të rinjtë shohin emigrimin si të vetmen rrugë për një jetë më të mirë.

Kur një qeveri harron se pushteti buron nga populli dhe jo nga privilegji, kur qytetarët humbin besimin tek institucionet, kur të rinjtë shohin emigrimin si shpresën e vetme për një jetë më të mirë, atëherë është detyrë e çdo qytetari të kërkojë llogari dhe ndryshim. Rama ik! Rama ik! Rama ik!”, tha protestuesi, ndërsa thirrja u shoqërua nga turma me sloganin “Rama ik!”.

Më tej, ai iu drejtua Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar hetime ndaj kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ne dëgjojmë çdo ditë pretendime për presione, frikësime dhe ndikime mbi institucionet e drejtësisë. Ju lutem SPAK, bëni detyrën tuaj. Hetoni kryeministrin, të gjithë rrethin e tij. Ju lutem SPAK-ut, bëni një hetim për kryeministrin, për pasurinë e tij dhe gjithë çfarë ka rrotull”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, protestuesi foli edhe për atë që e cilësoi si mungesë reagimi nga faktorët ndërkombëtarë.

Ne shohim gjithashtu një heshtje që shpesh na duket e pakuptueshme nga faktorët ndërkombëtarë që predikojnë demokracinë”, tha ai.

Protesta para Kryeministrisë vijon në ditën e 23-të radhazi, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

11 ORE ME PARE

23 ditë protesta, ambasadorja e Zvicrës: Pjesëmarrja e njerëzve në tubime, element i rëndësishëm i sistemeve demokratike

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber,

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, gjatë një vizite në Korçë ka folur edhe për protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë. Huber tha se institucionet demokratike dhe pjesëmarrja e njerëzve në protesta, janë një element i rëndësishëm i çdo sistemi.

Ajo tha gjithashtu se Zvicra ka dhënë një mbështetje afatgjatë për shoqërinë civile, të cilët merren mes të tjerash, edhe me organizimin e protestave.

Megjithatë, lidhur me ‘objektin’ e protestës dhe ecurinë e saj, Huber nuk dha një përgjigje konkrete, pasi sipas saj, ‘pyetja ishte shumë politike dhe e vështirë për t’u përgjigjur një ambasadë e huaj’.

"Pyetja jonë lidhet me protestën që po zhvillohet në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Çfarë mendoni për protestën, si e shihni atë në të ardhmen dhe a keni diçka për t'i thënë qeverisë shqiptare?", e pyetën gazetarët ambasadoren.

"Kjo është një pyetje shumë politike dhe është e vështirë për t'u përgjigjur si një ambasadë e huaj. Natyrisht, ne përmes programit tonë të zhvillimit, gjithashtu forcojmë demokracinë, me mbështetjen tonë ndaj parlamentit kombëtar, ndaj parlamenteve lokale. Ne kemi një mbështetje afatgjatë për shoqërinë civile, kështu që instrumentet demokratike dhe pjesëmarrja e njerëzve në protesta janë një element i rëndësishëm i çdo sistemi, ashtu si edhe në sistemin tonë në Zvicër", u përgjigj ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber.

11 ORE ME PARE

Nga kufizimi i mandatit të kryeministrit te qeveria teknike, protestuesit me kërkesa të reja: Largimi i Ramës, kusht kyç

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e

Protestuesit listojnë kërkesat e reja: Asnjë kryeministër mbi dy mandate

Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë bërë publike kërkesat e tyre të reja, të cilat u lexuan nga Dritan Goxhaj gjatë tubimit të zhvilluar në Tiranë.

Në emër të pjesëmarrësve, Goxhaj paraqiti një listë me kërkesa që, sipas organizatorëve, synojnë hapjen e një procesi të ri politik dhe institucional në vend.

Kërkesa e parë ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkuan gjithashtu krijimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar, e cila do të kishte si objektiv menaxhimin e tranzicionit politik dhe përgatitjen e reformave të nevojshme.

Mes kërkesave të tjera u përfshinë ndryshimet kushtetuese dhe rishikimi i Kodit Zgjedhor, me argumentin se sistemi aktual ka nevojë për reforma që garantojnë përfaqësim më të drejtë dhe transparencë më të madhe në proceset zgjedhore.

Protestuesit kërkuan gjithashtu kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, duke e konsideruar këtë si një masë për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një individi.

Një tjetër kërkesë ishte shfuqizimi i të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”, ndërsa në fund u kërkua hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe institucioneve të shtetit.

Lista e plotë e kërkesave të protestuesve:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:

* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.

* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.

* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.

* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

"Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, përfundoi fjalën e tij Goxhaj. 

11 ORE ME PARE

Dita e 23-të e revoltës, protestuesit: Kërkojmë largimin e të gjithë kastës politike, Rama do të na ketë këtu ditë e natë

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Pamje nga protesta

Ka nisur para Kryeministrisë protesta e 23-të radhazi e qytetarëve kundër qeverisë. Ajo që nisi fillimisht si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike, me protestuesit që kërkojnë ndryshime të thella politike dhe institucionale.

Gjatë tubimit, aktivisti Andi Tepelena deklaroi se protesta nuk ka më si objektiv vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe zëvendësimin e asaj që ai e cilësoi si “kastë e tranzicionit”.

Kjo protestë përveç largimit të Edi Ramës, ka dhe një kërkesë madhore, largimin e kësaj kaste të tranzicionit dhe rinovimin e saj me njerëz të rinj. Kanë bërë ligje për një grusht njerëz. Kjo qeveri është palë me mafien. Me paratë e drogës që kanë hyrë në Shqipëri çmimet kanë rritur majat”, tha Tepelena.

Sipas tij, kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec ishte vetëm pika e nisjes së një pakënaqësie më të gjerë qytetare.

Zvërneci ishte vetëm maja e një revolte popullore për largimin e këtij antishqiptari që po na i nxin jetën përditë. Kjo lëvizje është pa kthim. Rama duhet ta dijë se nuk do lodhemi. Gjallë a vdek do të jemi këtu derisa ta largojmë”, u shpreh Tepelena.

Ai hodhi akuza edhe ndaj procesit zgjedhor dhe qeverisë, duke kundërshtuar pretendimet e kryeministrit për mbështetjen elektorale që gëzon mazhoranca.

Rama nuk është përfaqësues i shqiptarëve. Ai thotë se ka 84 mandate, por janë vota të vjedhura falë parasë së zezë dhe krimit të organizuar. Tani nxjerr armiq të jashtëm, agjentë të Iranit, Rusisë, Izraelit etj. Arrogancës së tij do t’i përgjigjemi me arrogancë duke i thënë stop, jep dorëheqjen një orë e më parë”, tha ai.

Protesta po zhvillohet para Kryeministrisë në vijim të mobilizimit të përditshëm të qytetarëve, të cilët kanë deklaruar se do të vazhdojnë tubimet edhe në ditët në vijim.

11 ORE ME PARE

“S’do të ndalojmë pavarësisht presioneve”, qytetari: Nesër sindikatat mbajnë protestë para Ministrisë së Ekonomisë

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e

Protesta për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 23-të, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen në shesh duke kërkuar largimin e qeverisë dhe ndryshime në vend.

Një prej protestuesve deklaroi se revolta qytetare do të vazhdojë pavarësisht presioneve, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestat e organizuara nga sindikatat.

“Nesër, në orën 10:00, të gjitha sindikatat do të protestojnë përpara Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, në shenjë solidariteti. U bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen kësaj proteste. Nga minatorët e deri te rinia, duhet të protestojmë kundër këtij pushteti”, tha ai.

Sipas protestuesit, lëvizja qytetare nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj dhe do të vijojë aksionin protestues.

“Ne nuk do të ndalojmë, pavarësisht presioneve që bëjnë. Do të vazhdojmë qëndresën tonë derisa të dëgjohet zëri i qytetarëve”, u shpreh ai.

12 ORE ME PARE

23 ditë revoltë, mijëra qytetarë sërish në protestë para Kryeministrisë; kërkohet dorëheqja e Ramës

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e

Gjatë marshimit protestuesit kanë vijuar me thirrjet e tyre tashmë të bëra ‘himn’; “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në Burg”...

Ka nisur protesta e 23-të kundër Kryeministrit Edi Rama. Qindra qytetarë janë mbledhur fillimisht në Sheshin ‘Skënderbej’ dhe më pas kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë. Qytetarët të shumtë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e kastës së vjetër politike.

Gjatë marshimit protestuesit kanë vijuar me thirrjet e tyre tashmë të bëra ‘himn’; “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në Burg” dhe “Vdekje tradhtarëve, Shqipëria e shqiptarëve”.

Në protestën e ditës së sotme, nuk mund të mungonin pankartat e mbushura me ‘meme’, të cilat në 23 ditë kanë bërë xhiron e botës.

Kujtojmë se revolta ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit masiv të të rinjve nga vendi. Pjesëmarrja e diasporës është një tregues se pakënaqësia ndaj qeverisë nuk kufizohet vetëm brenda territorit të Shqipërisë.

 

 

12 ORE ME PARE

“Rama ka humbur kontrollin”, banorja e Rrjollit: Ka tentativa për të përçarë protestën!

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Luçiana Kokaj

Para nisjes së protestës së 23-të para Kryeministrisë, aktivistja dhe banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, ka bërë deklarata të forta lidhur me situatën politike në vend dhe qëllimin e protestës.

Kokaj hodhi poshtë pretendimet se protesta ka prapavijë kundër ndonjë shteti apo komuniteti fetar, duke theksuar se organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë vetëm një qëllim: Shqipërinë e përbashkët.

Sipas saj, ka individë dhe grupime që po përpiqen ta paraqesin protestën si antiamerikane apo antisemite, me synimin për të krijuar përçarje dhe për të larguar vëmendjen nga kërkesat e qytetarëve.

“Ne nuk jemi kundër asnjë shteti dhe asnjë feje. Ka njerëz që duan të përçajnë protestën dhe ta etiketojnë atë si antisemite apo antiamerikane, por kjo nuk është e vërtetë”, u shpreh Kokaj për News24.

Aktivistja kritikoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ai ka humbur kontrollin e situatës dhe po fokusohet te çështje që, sipas saj, nuk lidhen me problemet reale të qytetarëve.

“Rama ka humbur kontrollin. Merret me vogëlsira dhe nuk po sillet më si kryeministër”, tha ajo.

 

12 ORE ME PARE

“Do të ketë përshkallëzim”, protestuesi paralajmëron Ramën!

Minutë pas minute/ Qytetarët të vendosur për largimin e
Protestuesi

Ka nisur grumbullimi i protestuesve në sheshin Skënderbej, ku qytetarë dhe aktivistë po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

Gjatë fjalimeve të mbajtura në protestë, pjesëmarrësit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj situatës ekonomike dhe sociale në vend, duke akuzuar qeverinë për dështime në qeverisje dhe përkeqësim të kushteve të jetesës.

Një prej protestuesve deklaroi se qytetarët po përballen me paga të ulëta dhe kosto të larta jetese, ndërsa kërkoi që institucionet e drejtësisë të veprojnë ndaj rasteve të korrupsionit.

Ai solli si shembull një rast të dënimit të një ish-ministri në Spanjë, duke kërkuar që standarde të ngjashme të zbatohen edhe në Shqipëri.

“Kjo qeveri antishqiptare ia ka bërë jetën të pamundur çdo qytetari. Rrogat më të ulëta në Europë dhe çmimet më të larta. Drejtësi duhet bërë siç u bë në Spanjë. Këtu jemi të gjithë bashkë. Sigurisht do të ketë tentativa për përçarje, por ne do t’i shkojmë deri në fund. Dorëheqje dhe qeveri teknike”, u shpreh ai.

Protestuesi paralajmëroi gjithashtu se lëvizja do të vijojë dhe mund të marrë forma të tjera nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

“Nëse kjo qeveri nuk e ka kuptuar akoma, atëherë do të ketë një përshkallëzim dhe përshkallëzimin do ta vendosë sovrani, populli”, deklaroi ai.

Protesta po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje dhe vazhdimin e mobilizimit qytetar.

Lini një Përgjigje