
Trump vonon emërimin, politika shqiptare ‘livadhis’ pa ambasador amerikan...
Prej më shumë se 2 vitesh, ambasada amerikane në Tiranë nuk ka një ambasador në krye të saj. Në qershor të vitit 2023, Yuri Kim u largua nga Shqipëria dhe prej asaj kohe ka pasur vetëm të dërguar të posaçëm.
Gjatë kohës që Biden ishte president, ai nominoi në këtë post David J. Kostelancik. Por kandidatura e tij u zvarrit derisa u “dogj”. Ai doli para Senatit, por emri nuk arriti të hidhej për votim. Që në verën e vitit 2023, politika shqiptare ka “hedhur valle”, pasi të gjithë e dimë rëndësinë e ambasadës së SHBA. Të gjithë vinin në rresht para ambasadores Yuri Kim apo paraardhësve të saj.
Momentalisht, nuk ka asnjë sinjal nga Uashingtoni për emërimin e ambasadorit të ri. Edhe pse Trump ka emëruar diplomatë në shumë vende, ai ka paralajmëruar një politikë të re në fushën e jashtme.
Sipas një kërkimi në faqen e Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm, rezulton se janë plot 104 ambasada pa drejtues në të gjithë botën. Pra, duket se shërbimi i jashtëm amerikan është në kolaps.
Kjo do të thotë se emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri mund të vonojë edhe për shumë muaj. Trump deri më tani ka bërë emërime vetëm në shtetet e mëdha dhe me interes të veçantë për SHBA. Rasti më i fundit ishte në Indi. Që kur Trump mori detyrën në janar, janë bërë vetëm 61 emërime në total. Pra, duket se politika shqiptare do të vijojë të festojë.
Ajo që vihet re është se SHBA ka qenë e tërhequr kohët e fundit. Vetëm në fund të javës që lamë pas, e dërguara e SHBA Vanhorn shkoi në Zyrën e Ramës, takimi i parë për këtë vit. Po ashtu, SHBA nuk ka ndërhyrë në asnjë aspekt politik. Drejtësia është vënë në sulm dhe SHBA nuk ka reaguar, gjë që nuk ndodhte më parë. Pra, për sa i takon politikës, të gjithë lusin që Trump të vonojë sa më gjatë ambasadorin, pasi mund të livadhisin sipas qejfit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje