TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Maj 2025, 15:19

A është hequr ‘non grata’ nga SHBA? Berisha: U dënua vendimi i Blinken

Shkruar nga Pamfleti

A është hequr ‘non grata’ nga SHBA? Berisha: U dënua

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me lajmin se Departamenti Amerikan i Shtetit e lejon të udhëtojë në SHBA. Lajmi u publikua disa orë më parë nga gazetari i Politico, Marc Caputo, i cili njoftoi në llogarinë e tij në platformën “X” se Departamenti Amerikan i Shtetit ka lejuar Sali Berishën të udhëtojë për në SHBA.

Kryedemokrati vlerësoi qëndrimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, i drejtuar nga Marco Rubio. I pyetur nëse i është hequr apo jo non grata, Berisha tha se vendimi ndaj tij është konsideruar vendim politik.

“Është tjetër kur bëhet kjo apo ai qëndrim, por ai është shpallur vendim i politizuar i administratës Biden”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se ky vendim është një përgjigje ndaj përpjekjeve të kryeministrit Rama për të eliminuar opozitën nga skena politike e Shqipërisë. Sipas tij, ky është një sinjal i qartë se përpjekjet për të ndëshkuar opozitën konservatore përmes politizimit të politikave të jashtme janë të pasuksesshme.

"Lajm rajonal i Shqipërisë, por dhe në botë, është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politiziuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën. Në këtë mënyrë DASH jep përgjigjen më të fuqishme atyre përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë nga Edi Rama në mendësinë e etërve të tij, Xhorxh Soros dhe Antoni Blinken.

Ky vendim i një rëndësie të madhe, shkëputjes dhe mospranimit të vendimeve politizues, përpjekjeve të administratës së mëparshme që për shkak të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, të ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi, aty ku e kanë vendin. Me këtë rast, unë falënderoj DASH, sekretarin Rubio, administratën e re dhe presidentin Trump për këto qëndrime jashtë zakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë.

Ky vendim është gjithashtu një shpërblim i madh për të gjithë ata demokrate e demokratë që në kushtet më të pazakonte qëndruan për kauzën e drejtë, qëndruan për të vërtetën, e cila vonon, por nuk harron. Ky vendim nxjerr edhe njëherë para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, që vendimet politike të godisnin opozitën konservator në Shqipëri", u shpreh Berisha.

Kryetari i PD nuk dha një sqarim nëse bashkë me të, në këtë qëndrim të ri të Departamentit Amerikan të Shtetit të pretenduar prej tij, përfshihen dhe familjarët, bashkëshortja dhe fëmijët, të shpallur bashkë me të “non grata”.

Lidhur me pagesën për konsulentin e tij Chris LaCivita, Berisha tha se vlera është transparente dhe do të depozitohet në KQZ.

“Kontrata do të depozitohet sipas ligjit, është 100% transparente dhe e pastër. Çdo pagesë do të depozitohet në kohën e duhur në komisionin qendror të zgjedhjeve siç kërkon ligji. LaCivita është personaliteti më i shquar në domenin elektoral që ka shkelur në Shqipëri. Unë e kuptoj kureshtjen tuaj, por kompani konsulence këtu ka pasur gjithnjë. Kontrata do të depozitohet sipas ligjit, është 100% transparente dhe e pastër”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje