Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca për aferën Partizani, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë. Seanca nisi në orën 10:45, por i pranishëm është vetëm Malltezi, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësohen nga avokatët.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka folur pas daljes nga SPAK, ku u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, ku sulmoi Altin Dumanin.
Pasi refuzoi të ishte i pranishëm në seancën për aferën Partizani, zbuloi mesazhin që i ka lënë Altin Dumanit, sikurse vepron çdo herë sa herë duhet të shkojë në Prokurori në zbatim të masës "detyrim paraqitje".
“Altin Dumanit, autorit të krimeve të rënda kushtetuese, amnistisë elektorale të krimit elektoral, gjumit mbi dosjet e krimit, puçist që kërkoi të përdhosë Kushtetutën për të zgjatur mandatin e tij të krimit, e siguroj se ligji dhe Kushtetuta do të zbatohen dhe se ai do marrë përgjigjen e merituar ligjore për të gjithë veprimtarinë e tij kriminale.”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vlerësoi qëndrimin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me përfundimin e mandatit të kreut të SPAK.“E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranë se mandati i tij mbaron dhe kjo nuk ka komente.
Ndërkohë që më parë kishte një qëndrim tjetër. Dhe e garantoj DASH se ky qëndrim i ri është një ndihmë e vërtetë për luftën kundër krimit dhe karteleve të drogës në Shqipëri”, përfundoi kreu i PD-së.
Siç pretendon Berisha, Dumani “bën pazare me krimet e Ulsi Manjës apo të kryeministrit Edi Rama”.
“Pazare me Edi Ramën sepse e nxori Olsin të panjohur, në një kohë kur Olsi ishte absolutisht në krye të organizatës kriminale të grupit të Xibrakës që drejtohej nga Hakmarrja për Drejtësi”, tha ai.
Në seancën e radhës në GJKKO që po zhvillohet për dosjen “Partizani”, nga të pandehurit është paraqitur fizikisht vetëm Jamarbër Malltezi, ndërkohë Sali Berisha, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, janë përfaqësuar vetëm nga avokatët.
Avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj, ka paraqitur përpara trupës gjykuese kërkesat paraprake ndërsa ka kërkuar pavlefshmëri të akteve për marrjen si të pandehur të Berishës si dhe akuzat e ngritura ndaj tij.
Në muajin korrik, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës dhe Malltezit të cilët kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
Kujtojmë se Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Lini një Përgjigje