Deputetë të Partisë Demokratike ishin të pranishëm në ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, ku kërkuan informacione lidhur me qytetarët e shoqëruar pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme.
Në një prononcim për mediat, deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi se, sipas tij, ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestë është ushtruar presion i pajustifikuar nga policia. Ai theksoi se protestuesit kanë qenë në ushtrim të së drejtës së tyre kushtetuese për tubim dhe shprehu shqetësim për mënyrën e ndalimit të tyre.
“Këta qytetarë kanë protestuar në të drejtën e tyre dhe mbi ta është përdorur terror policor. Gjykata i ka quajtur në mënyrë dërrmuese të paligjshme ndalimin e protestuesve. Ky është një instrument që po përdoret në mënyrë të qëllimshme për të mos protestues. Këta qytetarë në të drejtën e tyre kanë bërë këtë protestë dhe kemi këtë policie që i shkurajon të mos marrin pjesë në protestat e tjera, por nuk ja kanë dalë, ne do të organizojmë protesta dhe më të mëdha. Unë i bëj thirrje që të miturit të lirohen sa më parë pasi kanë qenë në ushtrim të drejtës së tyre.
Deputeti Nallbati nuk përbënte asnjë lloj kërcënimi kur u sulmua nga policia. Ai u dëmtua rëndë dhe u detyrua të shtrohet në spital”, tha Bylykbashi.
Sipas deklaratave të bëra nga përfaqësuesit e opozitës, disa prej të shoqëruarve janë të mitur, për të cilët është kërkuar lirimi i menjëhershëm. Bylykbashi gjithashtu ngriti shqetësimin për gjendjen shëndetësore të deputetit Bledjon Nallbati, duke pretenduar se ai është dëmtuar gjatë ndërhyrjes së policisë dhe është detyruar të marrë trajtim spitalor.
Lini një Përgjigje