
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën dy persona të tjerë, ka sjellë reagime të forta politike.
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji e ka lidhur masakrën me mungesën e drejtësisë së barabartë dhe me kapjen e institucioneve nga qeveria.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe urime për shërim të shpejtë të të plagosurve, por theksoi se ngjarja nuk është një rast i izoluar. Sipas tij, krimi dhe dhuna janë pasojë e një sistemi të shkatërruar drejtësie që nuk mbron qytetarët, por favorizon individë të lidhur me pushtetin.
“Krimineli i sotëm është kapur me 1.3 kg drogë, jelekë antiplumb, maska silikoni, foto me armë në rrjete dhe ka bërë thuajse një vit burg për t’u liruar më pas nga gjykatat, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur. Mijëra popullojnë burgjet për disa gramë kanabis, për ndërtim stalle apo suvatim pa leje, ndërsa kriminelët e rrezikshëm qarkullojnë të lirë”, tha Salianji.
Ai e krahasoi këtë realitet edhe me përvojën e tij personale, duke kujtuar dënimin që mori pasi denoncoi lidhjet e politikës me krimin, ndërkohë që sipas tij, të vërtetët e rrezikshëm lirohen me vendime gjykatash të kapura.
“Kjo është fytyra e një qeverisjeje me drejtësi të kapur, që nuk mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë”, u shpreh ai.
Ngjarja e Shkodrës ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur sërish debatin mbi efektivitetin e reformës në drejtësi, rolin e gjykatave dhe dënimet e lehta për personat me precedentë penalë.
Postimi i plotë
Ngjarja tragjike e sotme në Shkodër, me dy jetë të humbura dhe të plagosur qytetarë që dalin të sigurojnë jetën me punë është një dhimbje e madhe për familjet e viktimave dhe për gjithë qytetin. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe shpresoj shërim të shpejtë për të plagosurit.
Kjo tragjedi nuk është vetëm një rast i izoluar dhune, por pasojë e një qeverie që përdor gjithçka për të siguruar vota për pushtet, duke prodhuar një sistem drejtësie që prodhon padrejtësi. Krimineli i sotëm është kapur me 1.3 kg drogë, jelekë antiplumb, maska silikoni, foto me armë në rrjete dhe ka bërë thuajse një vit burg për tu liruar më pas nga gjykatat, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur, mijëra qytetarë popullojnë burgjet sot për disa gramë kanabis, mijëra të tjerë janë rrasur në burg se kanë suvatuar apo ndërtuar avlli apo stalla pa leje, e qindra të tjerë nuk dinë as pse dënohen vetëm se nuk kanë fuqi politike. E kam provuar vetë se si në të njëjtën kohë që kriminelë të rrezikshëm lirohen u dënova se denoncova këtë kategori të lidhur me qeverinë!
Kjo është fytyra e një qeverisje me drejtësi të kapur, që nuk mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë.
Lexoni vetë vetëm një pjesë nga dosja e paraqitur në gjykatë!
Lini një Përgjigje