
Tre idetë që qarkullojnë në PD lidhur me strategjinë që duhet ndjekur në raport me Kuvendin
Partia Demokratike dhe aleatët e saj të koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ kanë deklaruar publikisht se nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve në 11 maj, ku opozita drejtuar nga Sali Berisha nuk arriti të kalojë më shumë se 50 mandate deputetësh, duke regjistruar një nga rezultatet më të dobëta në 35 vite të pluralizmit.
Berisha ka vijuar të denoncojë atë që e konsideron si një farsë elektorale, ndërsa askush nuk mund të thotë se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita në raport me Kuvendin.
Të gjithë pohojnë se vendimi do të merret në shtator, kohë kur gjithashtu është paralajmëruar edhe nisja e një analize për humbjen në zgjedhje, dhe ndoshta në muajt në vijim mund të ketë një riorganizim të kësaj partie.
E ndërsa shtatori po afron, kanë nisur edhe artikulimet e ideve se çfarë do të duhet të bëjnë demokratët, duhet të hyjnë ose jo në Kuvend, të djegin ose jo mandatet, cila është strategjia që duhet të ndjekin, në raport me një super-mazhorancë, e cila është në kufijtë e një shumice që me pak përpjekje për një aleancë fluide, mund të ndryshojë edhe Kushtetutën.
Një nga tezat që qarkullon në selinë e PD-së, dhe që mbështetet nga një grup anëtarësh të Këshillit Kombëtar, që nuk arritën të marrin mandat deputeti edhe pse ishin në lista, është djegia e mandateve. Pavarësisht se vlerësohen si një grupim pa ndonjë peshë specifike në PD, ata po artikulojnë idenë ekstreme që u aplikua nga e njëjta parti nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe solli jo pak pasoja për demokratët, veçanërisht në raport me ndërkombëtarët.
Nëse Berisha do të përkrahë këtë grupim, ku përfshihen emra që e shohin kreun demokrat si të vetmen alternativë, do të dilte zbuluar lidhur me qëndrimin që ka mbajtur, të paktën publikisht, kur ka deklaruar se vendimi për djegien e mandateve në 2019-ën, ishte i Lulzim Bashës dhe jo i tiji.
Ideja e dytë që qarkullon është një marrdhënie e kushtëzuar me Kuvendin, pra vendosja e një raporti ku deputetët e opozitës mund të bojkotojnë me muaj punimet, por pa shkuar në limitet e djegies së mandateve. Edhe kjo strategji është aplikuar nga Lulzim Basha dhe nuk ka dhënë asnjë rezultat, edhe pse tani shpresohet se kanë ndryshuar raportet, veçanërisht me administratën e Trump.
Ideja e tretë që qarkullon është ajo e një opozite që duhet të denoncojë, por edhe të bllokojë Kuvendin, duke alternuar aksionin me protesta të herëpashershme. Edhe kjo si strategji është aplikuar më parë, madje përfshirë edhe rastet kur tensionet në Kuvend arrinin kulmin me përdorimin e flakadanëve apo tymuseve, dhe që pasoheshin më pas me përjashtime disa javore deri në mujore të deputetëve të opozitës.
Ndërkohë që raportohet se këshilla që demokratët kanë marrë nga ndërkombëtarët, veçanërisht nga Partia Popullore Europiane, është pjesëmarrja në Kuvend dhe gjetja e instrumenteve të duhur për të realizuar qëllimet politike. Mësohet se demokratëve u është kërkuar të mos ndjekin strategji që mund të rrudhin fushën politike.
E ndërsa pritet që Kuvendi të mblidhet zyrtarisht, ndoshta brenda 10 ditësisht të parë të shtatorit, ajo që është e sigurtë deri më tani është që 50 deputetët e PD dhe aleatëve të saj, do të hyjnë në Kuvend dhe do të betohen duke marrë mandatet. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje