TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Nëntor 2025, 22:28

Berisha: Opozita nis stinën e protestave të pandërprera, qëllimi final është largimi i Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Berisha: Opozita nis stinën e protestave të pandërprera,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një interviste komentoi protestën e zhvilluar këtë të hënë, më 17 nëntor, përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si nisjen e një faze të re të aksionit opozitar.

Ai theksoi se kjo formë proteste synon të shndërrohet në një “foltore qytetare dhe parlamentare”, e cila do të zhvillohet çdo javë deri në ndryshimin e pushtetit.

Sipas Berishës, protesta e inaugurimit nuk kishte qëllim masivitetin, por hapjen e një cikli të ri rezistence.

Është të inaugurojmë protestën, si një mjet, së pari si një mjet komunikimi dhe revolte ndaj këtij regjimi. Së dyti, të ndërgjegjësojmë shqiptarët se në përballjen me këtë regjim, rruga e vetme është protesta. Kjo protestë është e vonuar, por u vonua për disa arsye, sepse në fakt kjo protestë duhej të fillonte shumë më parë. Por ajo që ka një rëndësi vendimtare është se pas raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, dëshmohet përfundimisht se kjo qeveri apo kjo e quajtur mazhorancë, nuk shpreh vullnetin e qytetarëve shqiptarë, por është e bazuar mbi një farsë të shëmtuar elektorale, një farsë e cila mblodhi shumë aspekte, shumë faktorë, shumë procese, me qëllimin e vetëm që Edi Rama të kishte mandatin e katërt. Kjo është e dokumentuar në mënyrë përfundimtare në një raport prej rreth 1500 faqesh me mijëra prova, fakte e dokumenta. Tani, në qoftë se në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhjet u vodhën, absolutisht u rrëmbyen, por nuk u mbrojtën dhe nuk u damkosën siç e meritonin, në këto zgjedhje opozita bëri të jashtëzakonshmen, mbrojti votën në kuptimin ligjor të saj dhe tani ka të drejtën kushtetuese, të drejtën ligjore, kombëtare e ndërkombëtare të përballet me këtë regjim për mbrojtjen e votës së lirë”, tha Berisha në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Ai u shpreh se opozita ka vonuar fillimin e protestave për arsye objektive, duke pritur raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR. Sipas tij, ky dokument voluminoz “e fakton përfundimisht se mazhoranca aktuale nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, por një proces të manipuluar me qëllim sigurimin e mandatit të katërt për Edi Ramën”.

I pyetur për skenarët e mëtejshëm, Berisha ishte i prerë: protesta e kësaj të hëne është vetëm fillimi. Ai paralajmëroi se në javët në vijim opozita do të zhvillojë protesta të mëdha dhe të pandërprera.

Kjo protestë ndërpritet vetëm kur Edi Rama të largohet nga pushteti. Ky tip proteste do të jetë një foltore parlamentare, qytetare, ku meqenëse deputetët nuk u lejuan të flasin në Parlament, do të vijnë të flasin përpara Kryeministrisë dhe qytetarëve, do të flasin dhe qytetarët, ndërkohë do të vazhdohet me përgatitjen e protestave të mëdha, protestave të qëndrueshme. Pra, çdo demokrate dhe demokrat do të jetë i përgatitur, se kemi ardhur në stinën, në kuptimin figurativ, të protestave të pandërprera, të vazhdueshme, gjer në përmbysjen e regjimit”, tha Berisha.

Kryedemokrati po ashtu akuzoi qeverinë për përdorimin masiv të administratës dhe burimeve publike në fushatën elektorale. Ai përmendi 4 mijë 500 aktivitete që sipas tij janë organizuar nga qeveria gjatë periudhës zgjedhore duke synuar ndikimin te votuesit, si dhe faljen e detyrimeve financiare që ai pretendon se kapin shifrën 1.5 miliardë euro.

Gjithashtu, Berisha përmendi përdorimin e grupeve kriminale, të cilët sipas tij janë përdorur për të ushtruar presion ndaj votuesve. Ai e konsideroi këtë një nga arsyet pse zgjedhjet nuk mund të cilësohen të rregullta dhe se fajësimi i opozitës për rezultatin “i shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverisë”.

Lini një Përgjigje