Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, një ditë pas protestës së opozitës, deklaroi se në kushtet e qeverisjes së Edi Ramës nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në vend.
Gjatë një konference për mediat, Berisha paralajmëroi se protestat do të vijojnë dhe do të shtrihen në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke theksuar se ato nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit.
Sipas tij, tubimet do të zhvillohen kudo ku ka pakënaqësi qytetare, ndërsa shtoi se “regjimi do të përballet me qëndresën të fuqishme popullore”.
“Qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë me demonstratën e tyre të fuqishme në kushtet e një narkodiktature, autokracie elektorale apo diktaturë autoritare, shqiptarët treguan dje se janë të pamposhtur nga kjo narkodiktaturë.
Mendoj se me protestën e tyre përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë.
Kurrë ndonjëherë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve se sa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës. Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet.
Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje. Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.
Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe protestuan në mënyrë dinjitoze.", tha Berisha.
Lini një Përgjigje