
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos u shpreh sot se zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin të lira e të ndershme.
Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i cili e ka cilësuar deklaratën e Kos si të pavërtetë dhe që sipas tij përbën një shtrembërim të papranueshëm të Raportit Përfundimtar të ODIHR.
Ai tha se me deklaratat e saj, Kos po rrezikon edhe vetë besueshmërinë e institucioneve europiane në sytë e qytetarëve shqiptarë
Bylykbashi shprehet se ODIHR ka qenë i qartë dhe i prerë se zgjedhjet nuk kanë qenë as të lira, as të ndershme.
Reagimi i Oerd Bhlykbashit:
Komisionerja e Zgjerimit zj. Marta Kos deklaroi se zgjedhjet e 11 majit 2025 “kanë qenë të lira e të ndershme”. Çfarë është më e rëndë është që ajo e dha si konkluzion të saj në emër të BE, jo si citim të ODIHR.
ODIHR në Raportin Përfundimtar ka deklaruar që në fjalinë e parë që “konkurrentët nuk patën fushë loje të barabartë”.
Brenda paragrafit të parë, ODIHR thotë se “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi gjerësisht i burimeve administrative gjatë fushatës , duke krijuar avantazh të padrejtë për shkak të qenies në pushtet”.
Në asnjë rresht të raportit final, për asnjë moment, ODIHR nuk thotë që zgjedhjet ishin të lira e të ndershme, siç thotë zj, Kos.
Ajo që ODIHR tha prerazi është se është prishur ndarja mes shtetit dhe partisë në pushtet. Kjo është shkelje e një parimi themelor, që sjell një fushë loje të pabarabarta, pra zgjedhje janë të pandershme.
Zgjedhësit patën presion, thotë ODIHR. Pra zgjedhjet nuk ishin as të lira.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian në kuadër të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, eurodeputeti Gahler, nënvizoi qartë se krimi i organizuar pengoi rotacionin politik.
Sa kohë nuk ka një raport tjetër dhe Komisioni Europian nuk kishte misionin e vet të vëzhgimit, pyetja ime është: E ka lexuar raportin e ODIHR dhe nëse po, ku e lexoi Komisionerja e Zgjerimit, zj. Kos shprehjen se “zgjedhjet ishin të lira e të ndershme”?!
Zj. Kos, si Komisionere Zgjerimi nuk ka kompetencë të zgjerojë dhe as të tresë Raportin Përfundimtar të ODIHR. Duhet patjetër ta tërheqë menjëherë atë deklaratë. Herë tjetër mjafton vetëm të citojë raportin e ODIHR.
Lini një Përgjigje