Politike 8 Dhjetor 2023, 13:47

Dita e Rinisë, Roland Bejko: Jemi të paktë ata ish studentë që s’na vrau ‘plumbi’ i Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Dita e Rinisë, Roland Bejko: Jemi të paktë ata ish studentë

Demokrati Roland Bejko, duke përkujtuar lëvizjen studentore të Dhjetorit që solli rënien e regjimit komunist, theksoi se PD nuk e gëzon sot mbështetjen e madhe popullore që mori në atë kohë.

Ai theksoi se kjo ka ardhur për shkak të etjes së madhe për pushtet të Sali Berishës.

“PD u krijua në dhjetor të ’90-ës falë Lëvizjes Studentore, me mbështetjen e intelektualëve dhe krijoi një bazë të gjerë popullore. PD ishte materializimi i gjithë aspiratës dhe vuajtjeve të atyre shqiptarëve që ishin anti regjim. PD ishte aspiratë e asaj klase elitare që komunizmi e shembi, burgosi dhe persekutoi. PD pati një mbështetje të madhe popullore, e cila u materializua me votën masive të 1992-it. Deri më sot, PD është reduktuar në vota për shkak të qeverisjes së keqe dhe opsioneve që ka pasur. Dhe jemi në ditën kur edhe më e keqja ka mbërritur pasi PD është ndarë në disa pjesë falë etjes për pushtet të ish kryetarit, Sali Berisha”, tha Bejko për “Tirana Live”.

Sipas tij, PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha kërkon që të ndahet nga e shkuara dhe të ndërtojë një të ardhme të re larg atyre që e lidhin fatin me atë të Berishës,

“Ne jemi nga ata pak studentë që kemi mbijetuar, nuk na vrau plumbi metaforik i Berishës. Kemi një fjalë dhe mundësi të shprehemi por janë qindra të tjerë të asaj periudhe që nuk gjejmë dot të zhvillojmë idetë e tyre politike. PD e drejtuar nga Basha është partia e cila sot mundohet të ndahet nga e shkuara dhe të ndërtojë një të ardhme me një kontratë të re me elektoratin shqiptar dhe jo me militatët e verbër dhe që e kanë lidhur fatin e tyre me atë të Berishës”, shtoi Bejko.

dita e rinise roland bejko plumb berisha