Teksa çmimet e naftës po fluturojnë dhe Bordi i Transparencës më shumë po i rrit çmimet sesa po i ul, Edi Rama vijon me skemat e tij.
Kryeministri deklaroi se qeveria do të fusë një kompani publike në tregun e naftës për të ndikuar në çmime dhe për të kufizuar abuzimet. Ai e bëri deklaratën gjatë Asamblesë së PS-së në njësinë nr.4 në Tiranë.
“Ne do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike, për të garantuar që qytetarët nuk detyrohen të paguajnë më shumë se ç’ju takon. Ligji për rezervën, ligji i ri është në proces konsultimi. Kemi pasur një naftë që markohej, për të identifikuar naftën që vjen në mënyrë legale. U munduam ta rregullonim”, tha Rama.
Ai shtoi se kompania synon të vendosë çmime referuese sipas tregut ndërkombëtar dhe të ndikojë në funksionimin e tregut.
“Ne duam që kompania publike të arrijë në pikën që të jetë furnizues në treg, të përcaktojë rregullat e lojës, duke vendosur një çmim real duke u bazuar te bursa”, deklaroi kryeministri.
Rama pranoi se një pjesë e tregut të naftës mbetet jashtë kontrollit të shtetit dhe lidhet me kontrabandën dhe tranzitin.
“Sepse ka një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh me naftën është e ashtuquajtura naftë tranzit, që hyn në Shqipëri për të shkuar në vendet që janë në kufij tokësorë me Shqipërinë dhe pastaj ngelet në Shqipëri në mënyrë ilegale”, tha ai.
Sipas tij, qeveria po bashkëpunon me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të vendosur kontroll më të fortë mbi tregun.
“Tani, bashkë me kompaninë publike që kemi krijuar, kemi krijuar një tjetër kompani publike bashkë me kompaninë që ka shteti në Emiratet e Bashkuara dhe do të nxjerrim një tjetër ngjyrues që është i pamanipulueshëm. Do të ndihmojë shumë kjo për të formalizuar deri në fund tregun e naftës”, deklaroi Rama.
Lini një Përgjigje