
Trump, Putini dhe iluzionet e fitores…
Pa u zbardhur ende detajet e negociatave të Uashingtonit mes Trump, Zelenskyt dhe krerëve të Europës, ka nisur festa në Tiranë.
Në rrjete sociale apo në media, kanë nxituar të gëzuarit e ‘deal’-it të ri të thërrasin “fiitoren” e carit Vladimir Putin, e të sulmojnë Amerikën e veçanërisht Europën e liderit e saj.
I gjithë ky entuziazëm nuk duket një sensacion apo një ndjesi, është më shumë një shpresë për të ndryshuar situatën në terren, aty ku Europa, gegjësisht BE-ja është e fortë, ekzaktësisht në kontrollin e luftës ndaj krimit të organizuar e trafiqeve, si dhe me zyrtarët e korruptuar.
Është kjo pjesë e shoqërisë sonë, e cila që në fillim ishte gati të injektonte një frymë anti-perëndimore në Shqipëri për të ndalur fushatën ndaj pandëshkueshmërisë, instalimin e SPAK.
Në krye të këtij lobi qëndrojnë dy elefantët e politikës Edi Rama e Sali Berisha, rreth të cilëve gjallojnë zyrtarë e oligarkë, mafiozë e sekserë, avokatë e analistë, që ushqehen nga pellgu i qelbur i paligjshmërisë.
Duke e lënë këtë pellg të ndenjur të dëshirave për të rikthyer status-quo-në e thyer e të pakthyeshme tashmë, e rëndësishme është të kuptohet çfarë po ndodh përtej entuziazmit, por sidomos furisë së ‘fake’ news-eve që po përhap makineria putiniane e dizinformacionit.
Negociatat e nisura ndërmjet Donald Trump dhe Vladimir Putinit për të mbyllur luftën, ose më mirë për të rindarë territoret, nuk janë një vullnet personal.
Ata do të zhvilloheshin gjithsesi, kushdo të ishte në pushtet, ndryshon vetëm konteksti dhe vitrina e tyre.
Që në kohën e Biden-it ishin përgatitur këto negociata; kreu i CIA-s gjatë administratës Biden, William Burns, kreu një numër të madh udhëtimesh në Moskë gjatë fundit të vitit të shkuar.
Udhëtime që kishin qëllim pikërisht të shtronin rrugën e një faze bisedimesh të mundshme.
Aparatet e administrates amerikane, që në kohën e Trumpit të Parë, e më pas Bidenit, problemin më të madh e kishin me Kinën, me fuqizimin e saj dhe kthimit të Rusisë në një vasal të bindur të Pekinit.
Largimi i SHBA nga Afganistani, ishte një koncesion i hapur ndaj Kinës, që ajo të shtrinte gazësjellësat e naftësjellësat e saj, duke siguruar kufirin me zonën problematike të Uigurëve.
Lufta në Ukrainë nuk erdhi si një invazion i ushtrive perëndimore, por si një pushtim i qartë i ushtrisë ruse nga 3 anët e kufirit me Ukrainën; nga Veriu prej Bjellorusisë, nga Lindja dhe Jugindja prej Rusisë dhe nga Jugu përmes Detit Azov dhe Detit të Zi.
Rusia kishte qëllim jo vetëm të merrte pjesën lindore që e kontrollonte prej vitit 2014, por edhe të vendoste në Kiev një qeveri kukull, si ajo e Janukoviçit, që ta kishte Ukrainën një shtet satelit të saj.
Pas 3 vitesh luftë, të gjithë shkencëtarët e gjeopolitikës janë dakord në një përfundim: Rusia e ka fituar luftën taktikisht, pra ka avancuar me ushtrinë e saj në Lindje të Ukrainës, por nga aspekti strategjik është e humbur.
Pasi ka në kufirin lindor një komb armik tashmë, që nuk do të jetojë në Lindje por në Perëndim. Pra nuk e ka më zonë influence të saj Ukrainën, siç e kishte dhe siç ishte objektivi më i rëndësishëm i Vladimir Putinit, i cili çoi ministrin e tij të Jashtëm Lavrov të veshur me bluzë me siglën e Bashkimit Sovjetik në samitin e Alaskës.
Po si është situata në terren për ta pasur më të qartë?
Shihet qartë nga harta nga ku po diskutohet paqja, e cila nuk do të jetë aq e thjeshtë. E gjithë loja po bëhet për rajonin lindor të Donbasit, atë të Khersonit dhe Zaporizhën.

Donbasi ka qenë pellgu më i çmuar minerar i epokës sovjetike, që ka ushqyer industrinë e rëndë dhe ushtarake të Moskës për më shumë se një shekull.
Në Donbas ndodhen rajonet e Donjetskut dhe Luganskut. Këtu ndodhet edhe hambari më i rëndësishëm minerar i vendit, kryesisht minerale me ngjyrë apo siç quhen sot minerale të rralla.
Kjo zonë është në duart e Moskës që në vitin 2014 e aktualisht Rusia kontrollon rreth 80% të territorit.
Në Lugansk, rusët kontrollojnë 99% të territorit, ndërsa në Donjetsk 79%.
Në shkurtin e vitit 2022 komandot ruse kishin pritshmërinë se do të pushtonin gjithë Donbasin për pak orë, por situata në terren shkoi krejt ndryshe. Në Donjetsk është përqëndruar rezistenca më e ashpër e ushtrisë ukrainase dhe janë zhvilluar betejat më të ashpra që kanë marrë mijëra jetë, duke nisur nga beteja tragjike e Mariupolit.
Më pas janë zhvilluar betejat e ashpra të Bakhmut-it, Chasiv Yar-it, Adivkas e deri beteja për kontrollin e Pokrovskit, që po zhvillohet ende me intensitet të lartë.

Aktualisht, në pjesën e Donbasit që kontrollohet nga Ukraina banojnë më shumë se 272 mijë njerëz. Pra jemi larg së qeni një triumfi putinian në Donbas. Vazhdojmë më tej.
Në Kherson, përkatësisht në pranverën e vitit 2022 kolona të mëdha ruse kapërcyen urën mbi Dnjepër që lidh Krimenë me Ukrainën dhe pushtuan gjithë rajonin, duke përfshirë edhe kryeqytetin që mban të njëjtin emër. Por nuk kaloi shumë dhe ukrainasit e rimorën kontrollin e qytetit.
Kundërsulmi ukrainës i zbythi rusët në Lindje të Dnjeprit. Që atëherë, ushtria e kuqe bombardon Khersonin e kthyer në një qytet fantazëm. Aktualisht rusët kontrollojnë 71% të rajonit të Khersonit, e Ukraina frikësohet se nga këtu Putin do të nisë ofensivën ndaj Odesës, pasi nga deti ka dështuar plotësisht.
Ndërkaq, rajoni tjetër në hartën e negociatave është Zaporizha, e cila u sulmua që në mars të 2022. Rusët kontrollojnë 74% të rajonit, përfshirë dhe centralin bërthamor gjatë rrjedhës së lumit Dnjepër.
Pra nuk bëhet fjalë për triumf të Putinit, por për fitore të tij në terren për ato territore që i ka kontrolluar që prej 2014-s.
Donald Trump është i etur dhe madje mund të thuhet i dëshpëruar për të arritur një sukses në negociatat e paqes, ngaqë ka qenë flamuri i tij gjatë fushatës elektorale. Ai rrezikoi shumë duke e llastuar Vladimir Putinin, duke e pritur me nderime e tapet të kuq, ç’ka po e rrezikon shumë në zgjedhjet e mesmandatit.
Trump, në thelb nuk se po bën një kundër aparateve amerikane, megjithatë mënyra e tij e negociimit, pak spektakolare e shumë spekulative, i ka dhënë mundësi një mjeshtri të intrigës dhe propagandës si Putin që të përfitojë.
Synimi i Putinit në negociatat nuk është Ukraina, por përfshirja në tryezën e madhe të rindarjes së botës së bashku me SHBA e Kinën, ku Rusia synon të luajë me territoret që t’i mbajë nën influencë për të ruajtur pozitat e saj gjeopolitike.
Duke nisur nga Ballkani, e ku fatkeqësisht duket se edhe Kosova është në tavë. Por kjo meriton një trajtim të veçantë dhe të thelluar.
Ndaj, për putinistët dhe dashnorët e vjetër të sovjetëve e “majka rasia” është shumë herët të festojnë, pasi këtë nuk e kanë bërë as vetë rusët.
Mbrëmë ndërkohë që e gjithë bota ndiqte Shtëpinë e Bardhë për negociatat Trump-Zelenski-Krerët e BE, televizioni kryesor rus po transmetonte një telenovelë.
Sa për analogji: kur u (vetë)vra Mehmet Shehu, televizioni shqiptar transmetoi komedi, ndërsa kur në gushtin e 1991 ju bë grusht shteti Mihal Gorbaçovit, televizioni rus transmetonte “Liqenin e Mjellmave” të Çajkovskit. Me pak fjalë, diçka po gatuhet në magje…/Pamfleti
Lini një Përgjigje