
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme, me direktiva të qarta në Tiranë...
Turqia duket se nuk është shumë e kënaqur me qëndrimet dhe politikat e kryeministrit Edi Rama në raport me të.
Edhe pse Rama e ka deklaruar se e ka “vëlla” Erdoganin, në fakt, kur vjen puna te kërkesat e tij, nuk është treguar korrekt dhe, kjo gjë duket se ka krijuar qejfmbetje në Ankara.
Sot ka mbërritur në Tiranë një delegacion nga Asambleja e Madhe e Turqisë, i drejtuar nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme, Fuat Oktay. Ata kanë pasur një takim me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, si dhe me një grup deputetësh nga Komisioni i Punëve të Jashtme.
Edhe pse Kuvendi vendosi të nxjerrë një deklaratë formale për këtë takim, ai që ka dhënë më shumë detaje ka qenë deputeti Kreshnik Çollaku, i pranishëm në takim. I ftuar në një emision, ai tha se në bisedën me delegacionin turk është prekur edhe çështja e Shtetit Bektashi. Çollaku ka thënë se Fuat Oktay ka dalë kundër këtij projekti, duke sugjeruar që të mos shkojë përpara.
“Në takim u prek dhe kjo temë (Shteti Bektashi) dhe qëndrimi i Parlamentit turk dhe kryetarit të Komisionit të Jashtëm, ishte se dukej një ide e çuditshme dhe që mund të provokonte problematika të panevojshme. Statuset të veçanta mund të provokojnë harmoninë fetare”, tha ai.

Ndërkohë, më shumë detaje kanë nxjerrë mediat turke, të cilat kanë publikuar informacione nga deklarata e Oktay. Zyrtari turk është ndalur edhe te gylenistët, ku këmbëngul se duhet të mbyllen institucionet e financuara nga Fondacioni Gylen. Sipas tyre, duhet të eliminohet çdo mbetje e asaj që ata e quajnë FETO.
Një tjetër çështje ka qenë lufta në Lindjen e Mesme. Tashmë dihet pozicionimi i Turqisë, e cila është kundër Izraelit dhe, në takime, është kërkuar që të mos përkrahet “gjenocidi i Izraelit” në Gaza. Deri më tani, Shqipëria ka qenë kundër linjës së Turqisë, pasi ka mbështetur Izraelin.
"Shkëmbyem mendime mbi thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe eliminimin e individëve dhe organizatave të lidhura me FETO-n. Gjithashtu, shkëmbyem mendime mbi çështje të tilla si përpjekjet e vendit tonë për të siguruar stabilitet dhe prosperitet në Ballkan, rëndësia e hapave të ndërmarrë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndalimi i gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe agresionit të tij në rajon, si dhe vendosja e paqes në Lindjen e Mesme bazuar në një zgjidhje me dy shtete", ka thënë Fuat Oktay sipas mediave turke.
Duhet theksuar se Fuat Oktay është mes njerëzve të besuar të presidentit Erdogan. Ai ka mbajtur për disa vite postin e zëvendëspresidentit të Turqisë, pra ka qenë vetë zëvendësi i Erdoganit. Dhe mesazhet e tij sot janë jo thjesht të një deputeti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje