Pozicionimi i Shteteve të Bashkuara në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), si dhe heshtja shqetësuese e pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar ndaj gjenocidit që po zhvillohet aktualisht në Gaza, ka tronditur themelet e së drejtës ndërkombëtare dhe ka ekspozuar dobësitë morale të diplomacisë globale.
Në një moment kur njerëzimi po përballet me një tragjedi humanitare të përmasave të mëdha, heshtja dhe indiferenca e shumë liderëve botërorë po bëhet pjesë e problemit, duke minuar rëndë besimin tek institucionet ndërkombëtare. Qëndrimet e zbehta apo të njëanshme politike, sidomos nga vende që historikisht kanë mbrojtur vlerat demokratike dhe të drejtën ndërkombëtare, po krijojnë një precedent të rrezikshëm.
Kjo situatë është një provë morale për botën dhe liderët e saj dhe deri tani shumë prej tyre kanë dështuar. Duke mos ngritur zërin dhe duke mos vepruar qartë kundër mizorive që po ndodhin në Gaza, këta liderë po lejojnë të zhbëhet ngadalë arkitektura etike dhe ligjore mbi të cilën është ndërtuar rendi ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore.
Nëse sot diplomacia globale nuk arrin të mbrojë viktimat e dhunës së shfrenuar dhe të sigurojë drejtësinë për popujt më të cenueshëm, ajo rrezikon të humbasë përgjithmonë autoritetin dhe besueshmërinë e saj.
Ka ardhur koha që liderët botërorë të mbajnë përgjegjësi dhe të rikthejnë angazhimin ndaj vlerave universale të drejtësisë dhe humanizmit. Në të kundërt, historia do t'i gjykojë ashpër për këtë dështim kolektiv moral.
Vetëm në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, janë vrarë të paktën 35 persona. Një sulm i fundit izraelit në një ndërtesë në Nuseirat, në Gaza-n qendrore, vrau të paktën tetë vetë, duke u përshkruar nga banorët si një “tërmet”. Qeveria në Gaza raporton se lufta e Izraelit ka shkaktuar deri tani mbi 61,700 viktima, përfshirë ata që janë ende të humbur nën rrënoja. Nga këta, 52,400 janë konfirmuar të vrarë dhe 118,014 të plagosur. Në anën tjetër, sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 shkaktuan vdekjen e 1,139 personave në Izrael dhe mbi 200 persona u morën peng.
Pozicioni i SHBA dhe ai i Hungarisë në ICJ ka qenë në mbrojtje Izraelit, duke akuzuar hapur Gjykatën dhe OKB-në për paragjykim. Ndërkohë, OKB-ja bën thirrje për veprim urgjent për të ndalur katastrofën humanitare në Gaza, ku bllokada totale nga Izraeli ka hyrë në ditën e saj të 60-të./Pamfleti
Lini një Përgjigje