
Gjergj Zefi, editori i "Pamfletit" në podcastin “Të Pashoq” tha se Partia Demokratike nuk është më Parti Demokratike, por një grup i një kasti njerëzish.
Duke komentuar rezultatin zgjedhor, Zefi tha se më shumë se sa një fitore e Edi Ramës është një humbje e Sali Berishës.
Editori i "Pamfletit" u shpreh se mendon se Berisha nuk e ka dashur fitoren më 11 maj. “Berisha nuk e ka dashur fitoren, ka dashur të ruajë çifligun e tij, që ia kishte marrë paraardhësi”, tha ai.
Pse dhe si fitoi kaq shumë PS?
Që do të fitonte dihej, pasi të gjitha gjërat po shkonin drejt kësaj. Ajo që bën përshtypje është fakti se tani po dalin në pah problemet, ndërkohë që ato ishin aty, të prekshme.
I referoheni krimeve zgjedhore?
Jo, i referohem Kodeve dhe gjithçkaje që sot po i nxjerrin si probleme. Problemi i politikës shqiptare është se të gjithë mendohen se do të fitojnë dhe kur humbin i kthehen të njëjtave probleme.
Pse fitoi PS me këtë rezultat?
Edhe unë u shokova në fillim, nuk e mendoja kaq të thellë. Mendoja se do të ruante rezultatin e 2021. Tani e kuptoj dhe mendoj se është e shpjegueshme. Këto zgjedhje më shumë se sa i fitoi Rama i humbi Sali Berisha. Ai është refuzuar disa herë, dhe në momentin që rikthehesh duhet të kesh një stil të ri. Por ai u rikthye me të njëjtin stil.
Berisha nuk e ka dashur fitoren, ka dashur të ruajë çifligun e tij, që ia kishte marrë paraardhësi. Berisha këtë radhë ishte më i qetë, pavarësisht se sot ndryshoi pak stil dhe tha se do të bëjmë protesta.
Por ai i dinte problemet, pastaj listat që i ofroi demokratëve ishin të njëjtat fytyra. Flamur Noka, Albana Vokshi, Edi Paloka, janë të njëjtët emra, duket sikur po i gjente nga një vend pune këtyre njerëzve që e kishin mbajtur besnikërisht.
PD duhej të kishte ndryshuar 3 liderë. Pasi kishte humbur zgjedhjet më 2017, Basha do të kishte ikur. Prurjet e reja do e kishin sjellë në pushtet, s'kanë pse mëkatet e 30 viteve, t'i mbanin në kurriz demokratët e rinj, ata që mbase atëherë nuk kishin lindur.
Lini një Përgjigje