Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në Kuvend u ndal te marrëdhënia me Kosovën, duke e cilësuar atë një përgjegjësi historike dhe kombëtare për Shqipërinë.
Ajo theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një mbështetëse e fortë e të drejtave të Kosovës, e integrimit të saj ndërkombëtar dhe e forcimit të dinjitetit shtetëror, pasi, sipas saj, stabiliteti i rajonit lidhet ngushtë me një Kosovë të fortë, të njohur gjerësisht dhe të integruar në strukturat euroatlantike.
Në këtë kontekst, Spiropali vuri në dukje rëndësinë e proceseve gjyqësore që zhvillohen në Hagë, duke nënvizuar se Shqipëria mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
“Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Por drejtësia ndërkombëtare nuk është një koncept abstrakt. Ajo matet me standardin e barazisë, me koherencën e saj dhe me aftësinë për të mos u kthyer në instrument të leximeve të njëanshme historike. Lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet. Ishte një luftë për mbijetesë dhe për liri, pas një periudhe të gjatë represioni sistematik. Ky është fakt historik i dokumentuar ndërkombëtarisht. Për këtë arsye, çdo proces gjyqësor që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me një vetëdije të plotë për kontekstin, për disproporcionin e forcës dhe për realitetin e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se qasja ndaj këtyre proceseve duhet të mbështetet në parime të qarta dhe në një vlerësim të drejtë të kontekstit historik.
Lini një Përgjigje