TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Prill 2025, 10:08

Hija e Trump mbi Shqipërinë: Nga interesat financiare te influenca në zgjedhjet e 11 majit

Shkruar nga Gjergj Zefi

Hija e Trump mbi Shqipërinë: Nga interesat financiare te influenca

Ndikimi i Presidentit amerikan Donald Trump në zhvillimet politike globale ka qenë gjithnjë i lidhur me një filozofi të drejtpërdrejtë: çdo aleancë, çdo përkrahje, ka pas vetes një faturë financiare. Shqipëria, megjithëse një vend i vogël në skaj të Ballkanit, nuk i ka shpëtuar syve të kësaj filozofie.

Zgjedhjet e 11 majit janë një moment vendimtar për fatin e politikës shqiptare, por edhe një rast adekuat ku hije të interesave ndërkombëtare përpiqen të formësojnë rezultatin. Në këtë kontekst, Donald Trump, vijon të ketë ndikim përmes figurave të afërta me të dhe përmes interesave financiare që lidhen me Ballkanin.
Nuk është rastësi që kryeministri aktual Edi Rama, i njohur për manovrat e tij diplomatike dhe qasjet e turbullta gjeostrategjike, ka tentuar t’i afrohet sferës së influencës së Trumpit. Më shumë se një gjest politik, kjo përbën një përpjekje të pastër për të siguruar mbështetje të heshtur, duke ofruar favore të drejtpërdrejta që tejkalojnë interesin publik dhe shkelin rëndë sovranitetin e shtetit shqiptar.
Një nga këto favore është pikërisht ajo që përflitet në qarqe të ngushta diplomatike: premtimi i dhënë nga Rama dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, për të marrë në zotërim ishullin strategjik të Sazanit me qëllim shndërrimin e tij në një kompleks turistik privat me standarde të larta.
Ky projekt nuk është vetëm një abuzim me pasurinë kombëtare, por një simbol i asaj se deri ku shkohet për të siguruar përkrahje ndërkombëtare, pavarësisht kostos që kjo ka për vendin.
Duke e njohur qasjen e Trumpit me një biznesmen që sheh politikën si zgjerim të pasurisë, është e pritshme që mbështetja e tij – e drejtpërdrejtë apo indirekte – të synojë forca politike që garantojnë stabilitet për interesa ekonomike amerikane, sidomos për ato të lidhura me familjen e tij.
Në këtë panoramë, Rama përpiqet të pozicionohet si një partner i besueshëm, duke promovuar një imazh të moderuar dhe “të hapur ndaj investimeve” ndërkohë që ka centralizuar çdo hallkë të pushtetit dhe ka minuar institucionet e drejtësisë. Ironia është se, për të marrë mbështetjen e njerëzve si Trump apo Kushner, ai është gati të lërë pas dore interesat e qytetarëve shqiptarë.
Nga ana tjetër, nuk mbetet pas as Sali Berisha, i cili në mënyrë të habitshme ka përfshirë në strategjinë e fushatës së tij Chris LaCivitta – një nga figurat kyçe të fushatës së Trumpit në SHBA – duke e kthyer aleancën me filozofinë trumpiane në një instrument të ringjalljes politike. Kjo përputhje ideologjike dhe taktike midis dy kampeve më të vjetra politike në Shqipëri dhe modelit Trump, dëshmon për një orientim të qëllimshëm drejt modelit populist, ku retorika agresive, konspiracionet dhe nacionalizmi mbulojnë korrupsionin dhe paaftësinë.
Në këtë mozaik influencash ndërkombëtare, një emër tjetër nuk mund të anashkalohet: ai është Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk ka ruajtur një marrëdhënie të veçantë me Edi Ramën, që shkon përtej protokollit diplomatik. Mbështetja politike dhe ekonomike nga Turqia, sidomos përmes investimeve strategjike dhe rrjeteve fetare e tregtare, është kthyer në një mjet presioni dhe kontrolli të butë. Rama e ka përdorur Erdoganin si një balancë kundrejt ndikimit të BE-së dhe SHBA-së, duke ndjekur një lojë të rrezikshme të ekuilibrave gjeopolitikë.
Kjo e bën situatën në Shqipëri akoma më komplekse: një betejë zgjedhore që, përveç palëve të brendshme, ka edhe spektatorë të jashtëm të gatshëm të ndërhyjnë për të ruajtur interesat e tyre.
Ndikimi i Trumpit në Shqipëri nuk është institucional, por është i pranishëm përmes marrëveshjeve të padukshme, përmes investimeve që synojnë objekte strategjike dhe përmes afërsisë me liderë që janë gati të ofrojnë gjithçka për të mbetur në pushtet.
Në fund, pyetja që duhet ngritur është kjo: A duhet Shqipëria të vazhdojë të jetë një monedhë shkëmbimi në duart e aleancave të paqarta ndërkombëtare, apo është koha për një ringjallje të shpirtit kuq e zi, përmes një lëvizjeje të brendshme që vendos interesin kombëtar përpara çdo pazari personal?/ Pamfleti

donald trump influenca shqipëria zgjedhjet e 11 majit

Lini një Përgjigje