Politike24 Shtator 2023, 22:16

Sulmi në Veri, reagon Berisha: Deklaratat e Vuçiç treguan se ka gisht në këtë agresion

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi në Veri, reagon Berisha: Deklaratat e Vuçiç treguan se

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me agresionin serb në veri të Kosovës. Ai deklaron se ka dështuar skenari i Beogradit që prej përfundimit të luftës për çlirimin e Kosovës dhe deri më sot.

Sipas tij, Vuçiç faktoi me deklatatat e tij se ka gisht në këtë sulm terrorist të organizuar dhe sponsorizuar nga Beogradi.

"Manastiri Banjskës dhe i gjithë territori në kontroll të plotë të policisë së Kosovës. Të dashur miq, në bilancin e fundit, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça deklaron për tre terroristë të vrarë, dy të plagosur dhe 6 të arrestuar, dhe vendosjen në kontroll të plotë të policisë të manastirit te Banjskës dhe të gjithë territorit.

Policia ka gjetur armatime të shumta dhe ka identifikuar edhe personat që gjendeshin brenda manastirit të Banjskës në Zveçan.

Banda terroriste kriminale përbëhej nga pjesëtarë të serbëve të veriut, të organizatës terroriste “Mbrojtja civile", si dhe të ardhur nga Serbia.

Një urim të përzemërt për Policinë e Kosovës, që me sakrifica, guxim, atdhetari dhe profesionalizëm të lartë neutralizoi grupin terrorist dhe dështoi skenarin më të rrezikshëm të Beogradit, që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës gjer sot.

Dënoj gjithashtu deklaratën e serbomadhit Vuçiç, në të cilën ai faktoi se nuk është dorëjashtë në sulmin e grupit terrorist të organizuar dhe sponsorizuar nga Beogradi", shkruan Berisha në Facebook.

berisha sulm vucic agresion