
Qytetarët e Kukësit po votojnë ditën e sotme për të zgjedhur kryebashkiakun e ri, pas skandalit seksual të Safet Gjicit.
Ata do zgjedhin mes dy kandidatëve, Albert Halilajt të socialistëve dhe Emri Vata i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.
45 mijë e 946 qytetarë kanë të drejtë vote, ndërsa materialet zgjedhore janë shpërndarë në të 74 Qendrat e Votimit. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 14:00 votuan 28.92% e votuesve.
Edhe në këto zgjedhje, Partia Demokratike zgjodhi që të mos dalë me kandidat për shkak të përçarjes.
Zgjedhjet e pjesshme në Kukës zhvillohen pas video-skandalit seksual të ish-kryebashkiakut Safet Gjici, vetëm disa javë pasi fitoi zgjedhjet e 14 majit.
Kujtojmë se, Halialj i PS-së votoi para orës 10:00, teksa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i drejtohen kutive të votimit dhe të zgjedhin alternativën më të mirë. Votën në kutinë e votimit e hodhi edhe kandidati i 'Bashkë Fitojmë'.
“I ftoj të votojnë alternativën më të mirë dhe më bindëse për këtë qytet të mrekullueshëm”, tha Halilaj.
Pas kandidatit të PS, edhe kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Emri Vata i është drejtuar kutisë së votimit për të hedhur votën e tij.
Në një prononcim të shkurtër për mediat pas votimit, Vata iu bëri thirrje kuksianëve të dalin të votojnë, ndërsa theksoi nga kampi i opozitës do raportohet çdo parregullsi dhe tentativë për të ndikuar zgjedhësit.