
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi një kërkesë të Partisë Socialiste që gjatë procesit të rinumërimit të llogariten si vota të vlefshme për kandidatët edhe rastet kur shenja “x” ose “+” janë vendosur jashtë kuadratit në fletë, por përbri tij.
“Ne i qëndrojmë mendimit vlerësimit objektiv sa i përket kandidatëve”, tha Ledio Braho, anëtar i KAS-it.
Ai shtoi se elementët që kërkoi Partia Socialiste, konsiderohen si jo normalë në këtë moment të procesit.
“Kërkesa e parë kishte të bënte me faktin që i kërkonte KAS-it të ndryshonte standardin e vlerësimit të votave për listën preferenciale të kandidatëve kur shenja është vendosur jashtë kuadratit të kandidatëve dhe elementi i dytë ishte i paqartë nëse ky vlerësim i ndryshëm duhej të ndryshonte standardin e ndjekur deri tani apo nënkuptonte që edhe ato 300 kuti që janë hapur deri tani duhet të rinumërohen dhe një herë nga fillimi nëse ndryshonte ky standard.
Për ne të dy elementët konsiderohen si jo normalë në këtë proces sepse nuk mund ta ndryshojmë standardin në proces. E dyta është që nuk mundet që këto 300 kuti që kemi hapur deri tani të rivlerësohen edhe njëherë sa i përket këtyre votave”, tha Braho.
Por çfarë do të thotë kjo?
Sipas vendimit të KAS, kur kryqi ose plusi i vendosur në kolonën e një subjekti nuk është vendosur brenda kuadratit të emrit të kandidatit, vota konsiderohet e vlefshme vetëm për subjektin zgjedhor, pra partinë ose koalicionin ku bën pjesë.
“Këtë qëndrim kemi mbajtur. Nuk e kemi konsideruar votën të pavlefshme, por vetëm për subjektin zgjedhor”, tha Braho, i cili shtoi për gazetarët se nëse PS-ja apo partitë e tjera kanë pakënaqësi, mund ta ankimojnë atë në Kolegjin Zgjedhor.
Duke qenë se ai vetë dhe anëtari tjetër i KAS-it, Elvis Çefa ishin të dy që kërkuan hapjen e kutive, Braho tha se nuk ka “asnjë lloj pishmani” dhe beson se ky proces “do hedhë dritë mbi zgjedhjet në çdo rast”.
Kujtojmë se selia rozë iu drejtua sot me një shkresë KAS duke pretenduar se në këtë mënyrë pasqyrohet qartë vullneti i zgjedhësve.
“Duke qenë se vlerësimi i fletëve të votimit me shënimin si më lart si të pavlefshme, ndikon në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, duke sjellë si pasojë ndryshimin e tyre në tabelën përmbledhëse, siç na ka rezultuar deri në këtë fazë, kërkojmë nga ju respektimin e kuadrit normativ rregullator dhe të praktikës të zbatuar deri më tani gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave”, shkruhej në kërkesën e PS-së.
Ndërkohë kujtojmë se në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti”, vijon rinumërimi i votave për Qarkun e Tiranës.
Sipas të dhënave nga KQZ-ja rezulton se deri më tani janë numëruar 288 qendra votimi. Numri më i madh i votave të hequra rezulton për Partinë Demokratike me 148 të tilla. Më pas vjen Partia Socialiste me 131 vota.
Rrjedhje votash ka edhe për Nismën Shqipëria Bëhet me 18 vota, Partinë Socialdemokrate me 11 vota dhe Partinë Mundësia me shtatë vota. Ndërkohë Koalicionit Euroatlantik i janë shtuar 15 vota. /tvklan.al
Lini një Përgjigje