
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur lidhur me fondet e pezulluara nga KE për bujqësinë. Basha shprehet se paratë nuk kanë shkuar tek fermerët por për vilat luksoze për klientët e qeverisë.
Basha tha se PD do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor për korrupsionin në lidhje me pezullimin e fondeve IPARD II për sektorin e Bujqësisë.
“Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve.
Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.
Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.
Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë.
Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin”, shkruan Basha në Facebook.
Vendimi i KE-së u mor “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur dje Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke saktësuar se kjo është një “masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”.
IPARD II (2014-2020) ofroi një mbështetje totale prej 71 milionë eurosh nga të cilat 25 përqind janë financuar nga qeveria shqiptare.
Lini një Përgjigje