TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Qershor 2025, 12:29

“Kërkojini ndjesë numëruesve”, reagimi i parë nga PD pas përfundimit të rinumërimit të votave në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

“Kërkojini ndjesë numëruesve”, reagimi i parë

Rinumërimi i votave në Tiranë u mbyll pasditen e së premtes, ndërsa ky proces nuk solli asnjë ndryshim rezultati sa i takon shpërndarjes së mandateve, apo ndryshimit të listës së hapur në emrat e atyre që ishin shpallur fitues nga numërimi i parë.

Përpara se të vendosej hapja e kutive për Tiranën, pati dyshime se numëruesit kishin favorizuar kandidatë të caktuar, me pak fjalë kishin kryer ‘trafik votash’. Por edhe në rastet kur pati parregullsi, ato u konsideruan pas rinumërimit si gabime njerëzore, duke shpëtuar në njërën anë komisionerët numërues nga andrallat me ligjin dhe në anën tjetër duke rrëzuar pretendimet se kishin kryer ‘trafik votash’.

Keltis Kruja, anëtar i Kryesisë së PD-së, në një postim në rrjetet sociale, shprehet se numëruesve i detyrohemi një ndjesë të madhe.

“Tani që rinumërimi i Tiranës mbaroi të gjithë i detyrohemi një ndjesë të madhe numëruesve tanë, puna dhe integriteti i të cilëve,me apo pa dashje,u vu në dyshim.

Vajza e djem, gra e burra që sakrifikojnë cdo ditë për atë që besojnë.

Respekt !”, shkruan ai.

Ky është reagimi i parë që vjen nga PD pas përmbylljes së rinumërimit të votave në qarkun më të madh.

 

Lini një Përgjigje