Politike16 Tetor 2023, 19:30

Kurti “goditje” Ramës nga Tirana: Veriu është tokë e Kosovës, nuk e negociojmë integritetin territorial

Shkruar nga Pamfleti
Kurti “goditje” Ramës nga Tirana: Veriu është
Albin Kurti

Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, integriteti territorial është i pacenueshëm, sovraniteti shtetëror mbrohet me qeverisje demokratike dhe me partnerët tanë do të kujdesemi për sigurinë kombëtare...

Kryeministri Albin Kurti ja ka bërë edhe një herë të qartë kryeministrit Edi Rama se ai nuk e dikton dot politikën e Kosovës.

Duke folur para gazetarëve pas Samitit të Berlinit të mbajtur në Tiranë, Kurti rrëzoi idenë që Veriun ta marrë nën kontroll KFOR, teksa i dha “shuplakë” kryeministrit Edi Rama që e cilësoi veriun e Kosovës si tokë të askujt. Kurti tha se Veriu është tokë e Kosovës dhe integriteti territorial nuk negociohet. 

Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës dhe ne kemi nevojë për më shumë siguri për Kosovën, që do të thotë trupat e NATO-s të jenë në patrullime të përbashkëta me policinë e Kosovës meqenëse vija kufitare me Serbinë është 380 kilometra, është më e gjatë sesa vija kufitare me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut marrë së bashku. Policia e Kosovës është responderi i parë në rast tensionesh dhe përpjekjesh për destabilizim. Eulex-i i dyti, KFOR-i i treti. Policia e Kosovës është edhe në jug të Ibrit edhe në veri të Ibrit. KFOR nuk është institucion i zbatimit të ligjit, këtë e bën policia e republikës së Kosovës. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, integriteti territorial është i pacenueshëm, sovraniteti shtetëror mbrohet me qeverisje demokratike dhe me partnerët tanë do të kujdesemi për sigurinë kombëtare”, tha Kurti.

Më tej ai ka zbuluar se ka pasur një takim me kryeministrin serbe Ana Brnabiç, teksa nuk la pa thumbuar dhe Aleksandër Vuçiçin, i cili iku në Kinë dhe bojkotoi Samitin. Më tej ai këkroi ndëshkimin e Serbisë për sulmin në Veri.

"Shpresojmë mos të ketë episod të katërt nga sulmet e Serbisë. Duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë. Është ditë e mirë pasi Procesi i Berlinit e bën Ballkanin Europian. 

Ne kemi marrëveshje me Serbinë të 27 shkurtit njohja de facto reciproke duhet të zbatohet. Pala serbe ka refuzuar edhe sot kam kërkuar nga Brnabiç ta nënshkruaj marrëveshjen bazike, unë jam që të zbatohen ato. Vuçiç ishte i zënë sot në Kinë. Nëse është aq i interesuar për stabilizim le ta nënshkruaj marrëveshjen”, u shpreh Kurti", tha ai.

Gjatë samitit në Tiranë Kurti ka pasur një takim dhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ishte vetë Kurti që reagoi në rrjetet sociale.

“Takim pune me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, në Tiranë”, ka thënë Kurti. Ndërkohë në konferencë shtypi, Scholz dënoi sulmin në Veri dhe u shpreh se pas mbylljes së hetimeve do të vendoset nëse do të ketë sanksione ndaj Serbisë.