
Kuvendi pritet të çelë vakancën për pozicionin e Avokatit të Popullit, funksion që mbahet nga Erinda Ballanca, edhe pse i ka përfunduar mandati 3 vite më parë.
Pasditen e 13 tetorit, Komisioni Parlamentar i Çështjeve Ligjore, pritet të shpallë vakancën, në një mbledhje që do të nisë në orët e pasdites, ndërsa pritet të ftohen të interesuarit për të aplikuar.
E njëjta procedurë ka ndodhur edhe në legjislaturën e kaluar, por mazhoranca ka refuzuar disa nga kandidaturat e mbështetura nga opozita, e cila pavarësisht emrave që ka mbështetur, nuk u angazhua në asnjë moment seriozisht për procesin.
Mandati i Erinda Ballancës përfundoi zyrtarisht në maj të vitit 2022, por pavarësisht kësaj është detyruar të mbetet në detyrë pasi Kuvendi nuk po i gjen dot një zëvendësues.
Erinda Ballanca u zgjodh në detyrë si Avokate e Popullit me datë 22 maj 2017, me një mandat 5-vjeçar, në bazë të vendimit të Kuvendit nr. 70/2017, pas marrëveshjes së famshme Rama-Basha.
Në legjislaturën aktuale, socialistët kanë 83 mandate, pa përfshirë këtu 3 deputetët e PSD-së, që mund të jenë në krah të PS-së.
Kjo do të thotë se socialistët mund të zgjedhin edhe të vetëm Avokatin e ri të Popullit, nëse opozita do të kontestojë procesin apo nuk do të ulet për një marrëveshje, qoftë edhe formale.
Lini një Përgjigje