
Kreu demokrat Sali Berisha ka skanuar, gjatë një konference për mediat, ministrat e propozuar nga Edi Rama për qeverinë e re në mandatin e katërt rradhazi qeveritar.
Duke nisur me Blendi Gonxhen, Berisha tha se ai është njeriu që mbyti Tiranën, që shtoi barrën fiskale mbi automjetet në Shqipëri të paktën 6 herë, që me kompaninë e tij Albarent dhe kompaninë e djalit të tij, kanë vjedhur me dhjetëra e dhjetëra milionë euro.
“Gonxhja është njeriu, që duke u faturuar taksa e tarifa shërbimesh qytetarësh, vazhdon bashkë me Edi Ramën vjedhjen e madhe të pistës së Formula 1 në Elbasan, që u nis me gjoja 10 milionë euro dhe thuhet se po përfundon me 230 milionë euro. Gonxhe është hajduti më i stërvitur i të gjithë zyrtarëve shqiptarë dhe ky u mbajt me çdo kusht”, tha Berisha.
Në vijim, kreu demokrat i konsideroi dy nga ministrat e propozuar, Elisa Sala dhe Besfort Lamallari si pjesëtarë të klanit Soros.
“Njëlloj si Rama, ai Lamallari është një urith i klanit të Xhorxh Sorosit në Shqipëri. Jo vetëm Lamallari, por edhe mjekja Evis Sala, e emëruar në konflikt flagrant interesi të Edi Ramës me familjen Sala.
Anri Sala është një fenomen, një gjeni në fushën e vet, por për rrethana krejtësisht enigmatike, detyrohet të bëhet patron i shkarravinave të Edi Ramës. I shkarravinave pa asnjë vlerë. Vendos reputacionin e tij të padiskutueshëm ndërkombëtar në shërbim të një narkodiktatori”, tha Berisha.
Jashtë vëmendjes së kreut demokrat nuk mbeti as Albana Koçiu, që do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Berisha tha se ajo është licencë e re për krimin.
“Po, për krimin dhe trafiqet e drogës, e cila premton një mburojë për to”, tha kreu demokrat.
Lini një Përgjigje