Politike29 Shtator 2023, 12:59

"Lefter Kokën e përdorën", Berisha: Veliaj po ndikon që Alqi Bllako të çlirohet nga akuza e korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti

"Lefter Kokën e përdorën", Berisha: Veliaj po ndikon

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Alqi Bllakos i është hequr akuza e korrupsionit dhe tani qëndron pas hekurave vetëm për shpërdorim detyre.

Në prononcimin e përjavshëm për gazetarët, ai tha se ishte pikërisht Bllako, në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, i cili bëri të gjithë procedurën.

Berisha u shpreh se Alqi Bllakos nuk i është prekur asnjë qindarkë nga pasuria e tij. Më tej, ai tha se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka “ishte hajdut i dobishëm” dhe nuk ka keqardhje për të.

"Veliaj ndërhyn në mënyrën më anti-ligjore në dënimin e Alqi Bllakos. Për aq sa është firmë në nivelin e tij, Alqi Bllako është më përgjegjës se çdo njeri tjetër në aferën e djegësve, është sekretari i përgjithshëm i të gjithë çorbës së djegësave. Disa informacione më thonë se e kanë çliruar fare nga akuza e korrupsionit. Nëse jam gabim, do ta tërheq. Atij nuk i është prekur 1 qindarkë nga pasuria e tij. Alqi Bllako ishte njeriu më i ngushtë i Erion Veliajt. Lefterin nuk e kishte për gjë. Lefterin e përdorën dhe mirë ia bënë. Në ministrinë e Lefterit, Alqi është personi përgjegjës direkt për të gjitha aferat për të tre djegësat.

A ndërhyri Erion Veliaj?  Unë dëshirë kam të akuzoj Ramën. Por në këtë rast nuk mund të devijoj. Tani më rezulton se Alqin e kanë akuzuar për shpërdorim detyre, por jo për korrupsion. Ky është një akt i turpshëm. Akuzon për korrupsion Ahmetajn pse përfaqësuesi i tij në komision ka votuar pro, në një kohë kur të gjitha këto janë bërë nën mbikëqyrjen direkte të Alqi Bllakos. U ndala te Alqi se ky është më flagranti. Njeriu që ka çliruar Alqin nga vepra e korrupsionit është një kriminel kokë e këmbë dhe kurrë nuk do të shpëtojë për këtë që ka bërë.", tha Berisha.

Kujtojmë se ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako është dënuar me 4 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 2.8 vite burg. 

Gjatë leximit të fakteve penale të dosjes, prokurorët e SPAK, thanë se ish-ministri Lefter Koka për përfituar 146 milionë lekë ryshfet për të favorizuar në mënyrë të jashtëligjshme kompaninë fituese, ndërsa ish-deputeti Bllako 14 milionë. Përveç “korrupsionit” dhe “shpërdorimit të detyrës”, sipas SPAK në inceneratorin e Fierit ka pasur edhe “mashtrim” e “pastrim parash” dhe se shoqëria e Klodian Zotos ka përfituar 4 milionë euro për shërbime që nuk janë kryer, por janë paraqitur situata të falsifikuara, duke i kryer vetëm në letra punimet.

 

berisha veliaj alqi bllako akuza e korrupsionit