Avokat Spartak Ngjela thotë se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u lirua nga burgu pasi nuk iu provuan akuzat për korrupsion.
Sipas tij, Tahiri ka plotësuar kushtet e vendosura në ligj dhe për këtë arsye gjykata ka vendosur që pjesën tjetër të dënimit ta kryejë në shtëpi.
"Nuk ia provuan dot korrupsionin. i provuan shpërdorimin e detyrës dhe e bëri. Në qoftë se do ta linin në burg me atë diagnozën për bashkëshorten që tha avokati, do të thotë dënim me vdekje. Nëse ka realizuar pesë kushtet e ligjit, do të dalë patjetër. Avokati tha që Tahiri i plotësonte kushtet.", tha avokati në një intervistë për mediat.
I pyetur a është lirimi i Tahirit një pakt me politikën, Ngjela thotë:
"Atë e ka gjykata në dorë, jo politika. Ai mori përsipër fajin. Ai u tregua dinjitoz. Nuk implikoi njeri pasi ligji kapte vetëm atë.", u shpreh avokati.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri la burgun, për të vazhduar dënimin në “arrest shtëpie”, sipas vendimit të Gjykatës së Elbasanit.
Me kërkesë të prokurorit të çështjes Mustafa Turku, gjyqtarja Matilda Fetahu shpalli vendimin për të liruar Tahirin. Vendimi u dha në Gjykatën e Elbasanit, në orën 09:00.
Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.
E para thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.
Ndërkohë, avokati i Tahirit shprehet se kushtet për lirimin e klientit të tij janë plotësuar.
Tahiri u dënua me 3 vjet e katër muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi gjatë kohës në krye të dikasterit të rendit, Habilajt kultivuan kanabis sativa.
Por, për të ulur dënimin dhe për të fituar lirinë, Tahiri ka futur në lojë të gjitha kartat.
Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK-u, shërbimi i provës dhe i burgosuri VIP iu drejtuan Gjykatës së Elbasanit.
Lini një Përgjigje