
Natyrisht që kjo situatë i shkon për shtat Kryeministrit dhe shton amullinë në rradhët e opozitës. Kjo e fundit prej të paktën 1 muaji po përpiqet të gjejë në rradhët e saj se kush mund të jenë “tradhëtarët”...
Përtej çdo praktike të ndjekur deri më tani, Edi Rama vijon të ruajë me fanatizëm përbërjen e kabinetit qeveritar, me të cilin do të drejtojë vendin në mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër.
E ndërsa në mandatet e mëparshme e publikonte përbërjen e Qeverisë disa javë përpara se të mblidhej Parlamenti në seancën e konstituimit, këtë rradhë, Rama ka ndryshuar strategji. Sipas raportimeve, ai po pret mbledhjen e Kuvendit dhe më pas do të thërrasë Asamblenë Kombëtare të PS-së, nga ku do të ‘suprizojë’ me emrat që do të emërojë si ministra, për të vijuar më pas me Kryetarin e Kuvendit, kreun e Grupit të PS-së, apo drejtuesit e komisioneve parlamentare.
Kjo strategji e re e ndjekur nga Kryeministri për të publikuar emrat e anëtarëve të Qeverisë dhe çdo niveli tjetër në drejtimin partiak në limitet kohore do të shmangte deri diku komentet, qoftë nën zë në rradhët e PS-së, por do të kapte të papërgatitur edhe opozitën.
Deri më tani ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me datën e mbledhjes së Asamblesë, megjithëse në rrethet e ngushta të socialistëve flitet për datën 11 shtator.
Por ajo që bie në sy në të gjithë këtë periudhë, nga 24 korriku kur Edi Rama zhvilloi një takim me ministra e deputetë, në formën e një analize lidhur me përmbushjen e objektivave, askush nuk flet më lidhur me atë se çfarë do të ndodhë.
Përgjigjia e vetme që jepet është: Edi Rama është i paparashikuar, ai surprizon. Madje të njëjtën përgjigje japin edhe ata që janë thirrur në takime me Edi Ramën, në formë konsultimesh, apo që mund t’u jetë bërë e ditur se do të jenë ose jo pjesë e Qeverisë.
Kjo është hera e parë jo vetëm në Partinë Socialiste, por edhe në politikën shqiptare, që askush nuk flet nga partia që do të qeverisë vendin në mandatin e 4-t lidhur me përbërjen e Qeverisë.
Më shumë se sa mungesë informacioni duket se heshtja dhe shmangia e komenteve apo nxjerrja e ‘sekretit’ ka lidhje me frikën e injektuar nga Babloku, i cili ka shtuar dozat për të pasur ekskluzivitetin e çdo zhvillimi, në çdo fushë, qoftë edhe kur mund të ketë interes të lartë publik.
Kjo situatë po shoqërohet me aludime të ndryshme, përfshi edhe ato të hedhura në ‘banaqet televizive’ sikundër ‘Babloku’ quan emisionet në TV, se Edi Rama do të përfshijë në Qeveri edhe emra nga opozita. Dhe jo vetëm aludime, por në jo pak raste ka prodhuar edhe meme në rrjetet sociale.
Natyrisht që kjo situatë i shkon për shtat Kryeministrit dhe shton amullinë në rradhët e opozitës. Kjo e fundit prej të paktën 1 muaji po përpiqet të gjejë në rradhët e saj se kush mund të jenë “tradhëtarët”, edhe pse Edi Ramës mund të mos i duhen fare emra opozitarësh në kabinetin e tij, kur numëron 83 mandate deputetësh socialistë, përveç atyre 3 që ka PSD e Tom Doshit, duke e çuar në 86 numrin e ligjvënësve që i ka në krahun e tij.
Dhe po të shikosh çdo deklaratë apo interpretim që bëhet në mediat tradicionale apo rrjetet sociale të opozitarëve që drejtohen nga Sali Berisha, duket si një fakt i kryer që Edi Rama ka vendosur të bashkëqeverisë me emra që kanë milituar në PD. Berisha shfaqet herë pas here në konferenca për mediat dhe denoncon atë që e konsideron si farsa e 11 majit, referuar zgjedhjeve, ndërsa nivelet poshtë tij në piramidën e partisë, duket se po bëjnë llogaritë se kush mund të jenë ata që do ‘braktisin’ anijen që ka kohë që fut ujë.
Karremin në këtë lojë ua hodhi Edi Rama, me emërimin në krye të Kadastrës së Vlorës së një drejtuesi lokal të PD-së, për të vijuar më pas me emërimin e një prej zv.Kryetarëve të Bashkisë së Tiranës, të një prej emrave që dikur ishte pjesë e PR-së së Fatmir Mediut dhe më pas kaloi me PD-në e Lulzim Bashës. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje