Politike 6 Dhjetor 2023, 18:45

Marrëveshja për refugjatët, Çollaku: Kushtetuesja të pezullojë ratifikimin, cënon sovranitetin e vendit

Shkruar nga Pamfleti

Marrëveshja për refugjatët, Çollaku: Kushtetuesja të

Opozita duket e përçarë dhe në betejën e saj për të penguar zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, të nënshkruar në 6 nëntor në Romë nga kryeministrat Rama e Meloni.

PD zyrtare dhe grupimi Berisha-Bardhi kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dy kërkesa përmes të cilave kërkojnë që marrëveshja të cilësohet anti-Kushtetuese.

Në një intervistë për “Report Tv”, analisti Mentor Kikia tha se nga marrëveshja ka nevojë të sqarohet në disa pika, ndërsa theksoi se dërgimi në Gjykatë Kushtetuese është test.

“Ka nevojë për më shumë sqarime mbi marrëveshjen. Edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese pra çuarja e dy kërkesave është vijim i amullisë që ka përfshirë opozitën. Sa i takon çështjes së emigrantëve ka nevojë për dy teste në Gjykatë Kushtuese dhe sqarimi i më shumë detajeve dhe pikave të errëta dhe këtë mund ta bëjë kryeministri përmes një interpelance”, u shpreh Kikia.

Teksa ministri Ulsi Manja tha se marrëveshja i ka kaluar të gjitha filtrat, deputeti i PD Kreshnik Çollaku mendon të kundërtën.

“Në gjykatë shkojmë për të verifikuar bindjen tonë se filtrat kjo marrëveshje nuk i ka kaluar. Dhe anëtarë të qeverisë Rama kanë qenë në padijeni të plotë për marrëveshjen. Kjo marrëveshje dhe forma si është trajtuar është cënuese e organizmave ndërkombëtare. Amnisti International e ka cilësuar të gabuar këtë marrëveshje. Implikon të drejtat ndërkombëtare dhe garancitë e të drejtave të njeriut sipas këtij mekanizmi dhe të disa të tjerave. Republika e Shqipërisë cedon sovranitetin e territorit të saj. Këtu nuk është çështje dashamirësie apo emocionaliteti.

Ne e konstatojmë të pavlefshme. Në gjykatë duam të kërkojmë pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në parlament. Kjo marrëveshje cënon kushtetutën e vendit prandaj i jemi drejtuar gjykatës”, tha Çollaku.