TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Qershor 2023, 17:25

Motra biznesmenësh, zv/ministra e ish-deputetë, zbulohet lista zyrtare e ambasadorëve të rinj

Shkruar nga Pamfleti
Motra biznesmenësh, zv/ministra e ish-deputetë, zbulohet lista zyrtare
Komisioni Parlamentar i Jashtëm

Zbulohet lista zyrtare me 12 emrat e rinj të propozuar për ambasadorë në selitë diplomatike të vendit tonë në shtetet aleate. Prej disa ditësh kanë qarkulluar emra, ndërkohë tashmë është zyrtare. Vetë Kuvendi ka njoftuar se ditën e premte do të nisin seancat dëgjimore në Komisionin e Jashtëm, ku emrat e propozuar do të dëgjohen mbi programin dhe arsyet se përse ata duhet të emërohen në këto poste. Pas këtij procesi, emrat do të shkojnë te Presidenti, i cili me shumë mundësi do të firmosë dekretet.

Ajo që bie në sy është se në shumë prej selive diplomatike do të shkojnë persona që nuk kanë lidhje fare me profilin diplomatik. Në listë janë disa emra ish-deputetësh, të cilët Rama i largoi nga Parlamenti. Të tillë janë: Vasilika Hysi, Ervin Bushati dhe Fate Velaj. Po ashtu në listë është dhe emri i gazetarit Mustafa Nano, që është propozuar ambasador në Zvicër. Po ashtu dhe zv/ministrja e Kulturës dhe motra e një biznesmeni. 

Sa i takon emrave konkretë, Ridi Kurtezi largohet si ambasador në Malin e Zi dhe dërgohet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në vend të tij emërohet Zhaklina Peto. Bëhet fjalë për juristen e njohur, e cila ka qenë ish-gruaja e ministrit Bledi Çuçi. 

Aida Sakiqi largohet nga Holanda dhe emërohet në Gjermani. Ervin Bushati propozohet si ambasador në SHBA. Ilir Gjoni, aktualisht ambasador në Zvicër propozohet të shkojë ambasador në NATO pas daljes në pension të ambasadorit aktual Visho Ajazi Lika.

Ish deputetja Vasilika Hysi, do të përfaqësojë Shqipërinë në misionin e OKB. Meri Kumbe, aktualisht zv/ministre e Kulturës është propozuar si ministre në Izrael. Ish-deputeti Fate Velaj është propozuar në Austri. Blerta Kadzadej kalon ambasadore në Turqi, ndërkohë që deri tani ka qenë Konsulle e Përgjithshme.

Majlinda Frangaj propozohet në Vatikan. Duhet theksuar se kjo e fundit është motra e biznesmenit Aleksandër Frangaj.

Gazetari Mustafa Nano është propozuar në Zvicër. Uran Ferizi është propozuar në Mbretërinë e Bashkuar.

4 të propozuarit e parë që do të paraqiten në Komisionin e Jashtëm janë Meri Kumbe, Ervin Bushati, Vasilika Hysi dhe Zhaklina Peto.

Në javët në vijim do të zhvillojnë dëgjesat edhe 8 kandidatët e tjerë të propozuar si përfaqësues të Shqipërisë në botë.

12 emrat e propozuar për ambasadorë

1.       Ridi Kurtezi, Emiratet e Bashkuara Arabe

2.       Zhaklina Peto, Mal i Zi

3.       Aida Sakiqi, Gjermani

4.       Ervin Bushati, SHBA

5.       Ilir Gjoni, NATO

6.       Vasilika Hysi, Misioni i OKB

7.       Meri Kumbe, Izrael

8.       Fate Velaj, Austri

9.       Blerta Kadzadej, Turqi

10.   Majlinda Frangaj, Vatikan

11.   Mustafa Nano, Zvicër

12.   Uran Ferizi, Mbretëri e Bashkuar

rama diplomate ambasadore

Lini një Përgjigje