TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Janar 2026, 09:49

Nga Tirana në Podgoricë: Kur suksesi i magjistratëve shndërrohet në kërcënim për politikën

Shkruar nga Pamfleti

 Nga Tirana në Podgoricë: Kur suksesi i magjistratëve

Sfidat e përbashkëta të Shqipërisë dhe Malit të Zi në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë po përballen me një kundër-reagim të ashpër politik. Ndërsa prokuroritë dhe gjykatat e posaçme po konsolidojnë goditjet ndaj krimit, presionet institucionale synojnë të kufizojnë rrezen e tyre të veprimit...

Shqipëria dhe Mali i Zi gjenden sot në një udhëkryq historik, formalisht më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë rrugëtim, gjykatat dhe prokuroritë e posaçme janë shndërruar në shtyllat kryesore të shpresës për sundimin e ligjit, duke goditur struktura të krimit dhe korrupsionit që dikur konsideroheshin të paprekshme.

Por ky sukses ka prodhuar një “kundër-reagim” të ashpër institucional dhe politik. Ndërsa në Podgoricë magjistratët e Seksionit Special përballen me një fushatë denigruese, në Tiranë kambanat e alarmit po bien për një “reformë mbi reformën”.

Shumica parlamentare, ka paralajmëruar hapa që shihen si përpjekje për të kufizuar rrezen e veprimit të SPAK dhe GJKKO, pavarësisht mbështetjes direkte të SHBA dhe BE. Vesna Kovačević, presidente e Dhomës së Posaçme në Gjykatën e Lartë të Malit të Zi, në një intervistë të gjatë për Balcani Caucaso, ka hedhur dritë mbi rreziqet që i kanosen pavarësisë së gjyqësorit në rajon.

Ajo thekson se presioni ndaj trupës gjyqësore nuk ka pushuar kurrë, por tani ka marrë forma shumë më të sofistikuara.

Presione dhe diskreditime

Kovačević shpjegon për Balcani Caucaso arsyet pse sulmet nuk janë gjithmonë ballore, por shpesh vijnë përmes manipulimit të opinionit publik: “Nuk bëhet më fjalë për kritika të hapura, sesa për forma më delikate të presionit publik, përkatësisht interpretime dhe komente mbi vendimet gjyqësore të formuluara pa marrë në konsideratë kontekstin më të gjerë ligjor dhe faktik”.

Kjo strategji synon të krijojë një hendek mes drejtësisë dhe qytetarëve, duke i paraqitur gjyqtarët si një kastë e izoluar, e privilegjuar dhe e paaftë. Gjyqtarja vëren se akuzat për korrupsion përdoren shpesh si “municion” për politikën pa pasur asnjë bazë faktike.

Duke folur për Balcani Caucaso, ajo shton se kjo narrativë nuk ndihmon në kuptimin e sfidave, por është “një përpjekje për të diskredituar gjyqtarët që trajtojnë disa raste jashtëzakonisht komplekse dhe sfiduese... dhe këto interpretime reduktohen në përfundime të paqarta që synojnë të fitojnë pikë në politikë”.

Ajo i bën thirrje politikës malazeze që, nëse ka prova për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, t’i denoncojë me emra konkretë dhe të mos përdorë përgjithësime që njollosin të gjithë sistemin.

Tirana dhe Podgorica “nën rrethim”

Një vështrim pak më i hollësishëm mbi strategjitë që po përdoren në të dyja vendet zbulon një përpjekje të koordinuar për të “frenuar” drejtësinë e re. Duke u bazuar në argumentet e gjyqtares Kovačević dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, panorama e këtij rrethimi institucional shfaqet në tre shtylla kryesore.

Së pari, lidhur me llojin e presionit dhe retorikën publike, ndërsa në Shqipëri po kalohet në një fazë agresive me sulme direkte ndaj prokurorëve, në Malin e Zi dominon diskreditimi moral. Kovačević thotë për Balcani Caucaso se magjistratët dëgjojnë çdo ditë “komente dhe kritika të shumta nga politikanë, avokatë dhe profesionistë të tjerë të cilët shpesh e karakterizojnë punën e gjyqësorit si joprofesionale, duke i akuzuar gjyqtarët si të paaftë dhe të korruptuar”.

Sipas saj, kjo narrativë i shërben politikës për t’i ikur përgjegjësisë, duke u përpjekur “t’ia kalojë të gjithë barrën mbi gjyqtarët për problemet sistemike që shqetësojnë gjyqësorin”.

Së dyti, strategjia e “reformës” dhe kushtet e punës tregojnë një tjetër formë të “frenimit” që Kovačević denoncon te Balcani Caucaso. Ajo dëshmon se është bërë “pak për të përmirësuar kushtet e punës në Gjykatën e Lartë dhe politikanët po përpiqen ta hedhin fajin mbi gjyqtarët e Seksionit të Posaçëm”.

Ndërsa në Tiranë synohen ndryshime ligjore për mandatet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, në Podgoricë vërehet një qëndrim ku gjyqtarët lihen të pambrojtur, megjithëse Kovačević këmbëngul se nuk do të lejojë që gjyqtarët të etiketohen dhe fajësohen padrejtësisht për probleme me shkaqe më të thella sistemike.

Së treti, sfidat procedurale dhe abuzimi me të drejtën mbeten arma kryesore e subjekteve të hetuara. Gjyqtarja tregon për Balcani Caucaso se “tërheqja e prokurës dhe abuzime të tjera të së drejtës për mbrojtje njihen si mekanizma që kanë kontribuar ndjeshëm në vonesat”.

Nga ana tjetër, ajo kritikon ashpër mungesën e forcës ndëshkuese të ligjit, duke deklaruar se gjoba maksimale prej një mijë eurosh nuk mund të ketë efekt pengues ndaj individëve të dyshuar për pasurim përmes krimit, një sfidë kjo që po paralizon edhe procese kyçe në GJKKO-në e Shqipërisë.

“Reforma mbi reformën” në Shqipëri

Në Tiranë, paralajmërimi i shumicës për të rishikuar ligjet e Reformës në Drejtësi përkon në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen e numrit të zyrtarëve të lartë nën hetim. Argumenti i përdorur nga politika është shpesh “balancimi i pushteteve”.

Por ekspertët dhe ndërkombëtarët e shohin si një tentativë për të vendosur kontroll mbi pavarësinë gjyqësore. Pikat ku pritet të ndërhyhet janë tejet kritike, duke filluar nga diskutimi për kufizimin e mandateve të prokurorëve të SPAK, çka do të dëmtonte kujtesën institucionale të hetimeve voluminoze.

Po ashtu, synohet krijimi i strukturave parlamentare që do të kërkojnë llogari mbi “metodologjinë” e punës, një lëvizje që hap shtegun për ndërhyrje të tërthorta në dosje specifike. Paralelisht, ekziston përpjekja për të transferuar vepra të caktuara penale drejt gjykatave të zakonshme, ku ndikimi politik dhe lokal mund të jetë më i lartë se në strukturat e posaçme.

Gjyqtarja malazeze Kovačević thotë më tej në intervistën për Balcani Caucaso se nuk mund të ketë një gjyqësor të pavarur nëse gjyqtarët trajtohen si pengesë dhe jo si partnerë në forcimin e integritetit, parim ky që vlen njësoj si në Podgoricë, ashtu edhe në Tiranë./Përgatiti: Pamfleti

magjistratët tirana podgorica

Lini një Përgjigje