Politike21 Shtator 2023, 09:46

Nis “fshesa” në Ministrinë Financave, Ervin Mete ‘spastron’ njerëzit e Delinës dhe instalon bandën e tij

Shkruar nga Pamfleti
Nis “fshesa” në Ministrinë Financave, Ervin Mete
Ministri i ri i Financave Ervin Mete dhe ish-ministrja e Financave Delina Ibrahimaj

Ministri i ri Financave, kryetar i partisë “G-99” dhe ish-Zv/ministër i Financave deri më 2020-ën, që përmendet 13 herë në dosjen e SPAK për landfillet, në takimin e parë u ka thënë vartësve: Idetë, projektet dhe ritmet e mia, kërkojnë energji e bashkëpunëtorë të rinj...

Është bërë modë dhe ligj i pashkruar, që çdo ministër sapo emërohet për herë të parë apo transferohet në një ministri tjetër, merr me vetë bandën e tij dhe largon bandën e parardhësit, duke krijuar një rrjet klanor me të cilin bën pazaret e aferat korruptive.

Pas Ministres së Arsimit Ogarta Manastirliu që ka larguar krejt kabinetin, dhe Ministres së Bujqësisë, Anila Denaj, që deri tani ka larguar Sekretarin e Përgjithshëm dhe 4 drejtorë qendrorë; “fshesën” e shkarkimeve e ka nisur edhe Ministri i Ekonomi-Financave, Ervin Mete.

Nga 15 drejtori që ka kjo ministri, në 6 gjashtë prej tyre janë hequr emrat e 6 drejtorëve të përgjithshëm nga faqja zyrtare, konkretisht te  Drejtoria Rregullatore që ka vartësi koncesionet e PPP-të; Drejtoria e Politikave  Ekonomike, Biznesit e Tregtisë; Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse; Drejtoria e Fondit Kombëtar; Drejtoria e Avokatit të Tatim-paguesit; Drejtoria e Menaxhimit të fondeve të BE.

Nuk dihet se cilët persona brenda ministrisë apo jashtë saj, ka menduar të emërojë ministri i ri Ervin Mete në këto poste, apo nëse do largojë edhe drejtorë të tjerë qendrore.

Por sipas informacionit, në shënjestër janë vënë Drejtori i Kabinetit, Martin Kajo, 3 zv/ministra, 4 këshilltarë, 10 shefa sektorësh e drejtues të kompanive shtetërore, që i kanë emëruar Anila Denaj pasi u emërua ministre financash në janar 2019 dhe Delina Ibrahimaj në tetor 2021.

Vështirësi, ministri i ri do ketë me largimin e Sekretares së Përgjithshme, Risena Xhaja, ish-zëvendëse Artan Lames në Kadastër dhe drejtore e Kadastrës-Durrës; por dhe për 4 zv/ministra që janë emëruar nga kryeministri, ndërsa të paprekshëm janë Drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi si ‘mik’ i Belinda Ballukut dhe Drejtori i Doganave, Gent Gazheli, si sekser e mik personal i Bablokut.

Në takimin e parë me anëtarët e kabinetit dhe me stafin e drejtorëve qendrorë, ministri i Financave Ervin Mete, u tha: - Idetë, projektet, dhe ritmet e mia, kërkojnë energji e bashkëpunëtorë të rinj.

E thënë troç, do bëhen shkarkime të shumta me shkresë zyrtare, ose largime me gjoja dorëheqje të anëtarëve të kabinetit e drejtorëve qendrorë dhe drejtuesve të sektorëve e kompanive shtetërore në vartësi të tyre, të cilëve do t’u gjendet ndonjë vend pune, ose do t’i marrin Anila Denaj e Dalina Ibrahimaj në ministritë ku kanë shkuar.

Saktësojmë, se para emërimit ministër, Ervin Mete ka qenë Drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ndërsa në vitet 2013-2020 ka qenë Drejtor Kabineti dhe zv/ministër i Ekonomi-Financave, të cilit i është përmendur emri 13 herë në dosjen hetimore të SPAK për landfillet.

Gjithashtu, Ervin Mete ka qenë Kryetar i Lëvizjes “Mjaft” pas Erjon Veliajt, ndërsa aktualisht është Kryetar i Partisë “G-99”, por ka lidhje të forta me krerët e pushtetit “Rilindja”, mbasi babai i tij Bilbil Mete, ish-prokuror në Tiranë i dorëhequr nga frika e “Vetting”-ut, ka mbyllur shumë dosje të tyre./Pamfleti

ervin mete ministri i financave spastron njerëzit e delinës nis "fshesa"