Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar lidhur me paralajmërimin e bërë dje se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objektiva të caktuara në Shqipëri.
E pyetur nga mediat nëse alarti që njoftuan mbrëmë ka të bëjë me ndonjë kërcënim konkret apo informacion të besueshëm që ka të bëjë me Shqipërinë, apo bëhet fjalë për një paralajmërim paraprak në kuadër të zhvillimeve më të gjera rajonale, një zyrtar i ambasadës amerikane tha se “do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm.
“Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të siguruar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm", thuhet në përgjigjen e Ambasadës për A2 CNN.
Ditën e djeshme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim paralajmërues, duke informuar se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.
Sipas ambasadës, këto grupe mund të synojnë gjithashtu vende publike dhe të zakonshme, përfshirë qendra turistike, tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Qytetarët amerikanë që ndodhen në Shqipëri inkurajohen të ushtrojnë vigjilencë të shtuar dhe të marrin masa paraprake për sigurinë e tyre personale.
Ambasada thekson rëndësinë e raportimit të çdo aktiviteti të dyshimtë pranë autoriteteve lokale dhe kontakteve të saj diplomatike.
Flm ShBA