
Javën e ardhshme do të nisë procesi i rinumërimit të votave për Tiranën dhe Durrësin. Kjo u bë e ditur nga Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sipas të cilitpër t’u numëruar janë 610 301 vota të të dyja qarqeve, dhe procesi do të zgjasë deri në 20 ditë.
Procesi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” dhe do të realizohet nga stafi i KQZ, dhe jo nga subjektet politike.
“Po jap disa informacione të karakterit teknik. Ky proces do të realizohet nga stafi i KQZ, në dallim me këtë proces të zhvilluar pas përfundimit të votimit dhe nxjerrjes së rezultatit, i cili si proces është realizuar nga numërues dhe komisionerë të caktuar nga partitë politike. Në këtë rast procesi do realizohet nga stafi i KQZ. Partitë politike s’kanë asnjë angazhim në këtë proces. Sikurse mundet ta keni konstatuar,KAS ka ardhur në këtë vendimmarrje me kërkesë të dy anëtarëve të këtij organi, pasi janë vlerësuar pretendimet e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë, bazuar në dokumentacionin që iu është dhënë nga KQZ dhe pamjeve filmike.
E them këtë për të evidentuar faktin që sistemi i administrimit, i mbikëqyrjes së procesit të numërimit dhe tabelimit të rezultatit ka funksionuar siç duhet, sepse bazuar në ato të dhëna iu është krijuar mundësia kandidatëve për pretendimet. Ngelet për tu parë sesa qëndrojnë këto pretendime”, tha Celibashi.
Kryekomisioni Ilirjan Celibashi dha detaje se sa njerëz kanë angazhuar për këtë proces.
"Kërkon përgatitje logjistike. Në një kohë rekord ia kemi dalë ta kemi gati infrastrukturën dhe kapacitete njerëzore për ta nisur këtë proces të hënën ose të martën e javës që vjen. Rinumërimi do të realizohet te pallati ‘Fahrie Hoti’, pasi nuk mund të zhvillohet te Parku Olimpik për shkak të rrethanave objektive. Për Tiranën, procesi i rinumërimit ka angazhuar 208 grupe numërimi ose 104 tavolina, për Fierin 46 tavolina ose 92 grupe numërimi. Shkojnë gati 150 tavolina. Kemi rreth 6 herë më pak tavolina, do na duhet 6 herë më shumë kohë, për të numëruar dhe vlerësuar votat dhe për të bërë tabelimin e rezultatit”, tha Celibashi.
Ai tha se procesi i rinumërimit të mbi 610 mijë votave në Tiranë dhe Fier do të përballohet pa kërkuar fonde shtesë nga buxheti i shtetit.
“Kemi kursyer ndjeshëm nga kontrata me ofruesin e shërbimit postar për votën nga jashtë për diasporën,” deklaroi Celibashi, duke shtuar se KQZ nuk do të kërkojë fonde të tjera për këtë fazë të procesit zgjedhor.
Për të garantuar përmbylljen e rinumërimit brenda afateve, Celibashi njoftoi se gjithë administrata e KQZ-së do të jetë në punë pa ndërprerje, përfshirë edhe muajt korrik dhe gusht, ndërsa lejet vjetore të stafit janë anuluar.
Lini një Përgjigje