Politike27 Korrik 2023, 19:55

PD në kaos total, Këshilli Kombëtar i thirrur nga Bardhi anulon zgjedhjet e së shtunës; Basha nuk tërhiqet

Shkruar nga Pamfleti

PD në kaos total, Këshilli Kombëtar i thirrur nga Bardhi anulon

Partia Demokratike duket se ka hyrë në kaos total.  Dy ditë para zgjedhjeve të së shtunës për kreun e ri, Gazment Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar, i cili ka anuluar procesin e së shtunës.

Mbledhja u zhvillua online dhe Bardhi pretendon se ishin të pranishëm 245 anëtarë. Në këtë mbledhje të patransmetuar për mediat u vendos që procesi për të zgjedhur kryetarin të shtyhet, duke "anuluar" zgjedhjet e së shtunës. Po ashtu ky këshill ka vendosur që të pranohet dorëheqja e Lulzim Bashës si dhe Enkelejd Alibeajt. Konstatimin se nuk ka pasur një Këshill Kombëtar në datën 20 qershor.

Ndërkohë, u shtyu për në një mbledhje tjetër vlerësimi mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre, edhe pse nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme.

Vendimin e Bardhit për të mos u tërhequr, Kryesia e quan shkelje dhe vendim për arsye personale politike. Sipas Kryesisë çdo pretendim i Bardhit për mbledhjen e Këshillit Kombëtar është për arsye personale politike.

Partia Demokratike do të vijojë rrugën e saj për riorganizimin dhe ringritjen e strukturave të saj të çdo niveli. Ky proces është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për rrugëtimin e PD drejt përmbushjes së misionit te saj. Të shtunën demokratet do të zgjedhin Kryetarin dhe do të nisin ringritjen dhe riorganizimin e saj”, thuhet në reagimin e Kryesisë.

Ndërkohë Lulzim Basha duket se nuk e njeh këtë mbledhje. Teksa anëtarët e Këshillit diskutonin, Basha ka mbajtur takimin përmbyllës të fushatës në një prej hoteleve në kryeqytet. Mësohet se grupi i tij do vijojë me mbajtjen e zgjedhjeve të shtunën. 

Me anë të një postimi në 'Facebook', Basha i është përgjigjur Bardhit, duke thënë se më 29 korrik demokratët do të zgjedhin kreun e ri të PD. Duke injoruar kështu vendimin e marrë sot nga Këshilli Kombëtarë i thirrur nga Bardhi.

Ai tha se PD-ja nuk është pronë individuale e askujt dhe se shpejti ajo do të ri ngrihet dhe do të shndërrohet në alternativë për shqiptarët.

Të shtunën me 29 korrik demokratët do të shprehin vullnetin e tyre në një nga momentet më të rëndësishme për Partinë Demokratike. Ata do të votojnë jo vetëm për kryetarin, por për të nisur një rrugëtim të ri, të organizimit, ringritjes dhe shndërrimit të PD në alternativën që duan dhe presin shqiptarët.

Gjatë këtyre javëve jam takuar dhe kam biseduar me shumë demokratë, kemi folur hapur pa asnjë kufizim për gjithçka që kemi kaluar këto kohë e se si duhet të ringremë PD. Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira dhe pas çdo sfide i’a kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë. Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve", tha ai.

Vendimet e Këshillit Kombëtar

SHTYHET VENDIMMARRJA PËR CAKTIMIN E DREJTUESIT TË PARTISË

Pas relatimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Këshilli Kombëtar ka konstatuar dhe pranuar dorëheqjen e datës 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha; dhe dorëheqjen e datë 17 Maj 2023 të Nënkryetari të Partisë Demokratike z. Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë, u shtyu për në një mbledhje tjetër vlerësimin mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre, edhe pse dorëheqjet e tyre nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme.


DY DITË PARA ZGJEDHJEVE, KËSHILLI KOMBËTAR I PD ANULON ZGJEDHJET PËR KRYETARIN TË 29 KORRIKUT

Këshilli Kombëtar i PD ka vendosur të anulojë zgjedhjet e datës 29 Korrik 2023, duke e konsideruar procesin antistatutor dhe farsë.

KËSHILLI KOMBËTAR PEZULLON NGA FUNKSIONI KRYESINË E PARTISË DEMOKRATIKE

Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kourum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë.

Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anulluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj.

KËSHILLI KOMBËTAR NGARKON NJË GRUP DEPUTETËSH TË KËRKOJNË ÇREGJISTRIMIN E LULZIM BASHËS NGA REGJISTRI I PARTIVE POLITIKE

Një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS për dorëheqjen e tij, që është lënë në fuqi nga gjykata.

bardhi bash zgjedhje