Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me debatet dhe atë që ai e quan keqinformime mbi projektin e rijetëzimit të zonës historike të Durrësit.
Ai theksoi se realizimi i këtij projekti ka karakter strategjik për të ardhmen e qytetit të vjetër dhe për zhvillimin e tij si destinacion turistik mesdhetar.
Rama sqaroi se Zona Arkeologjike A, ku do të zhvillohet projekti, nuk është një hapësirë urbane e zakonshme, por pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe botërore.
Ai përmendi monumente si Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin dhe Termat Romake, të cilat sipas tij përfaqësojnë qytetërimin europian dhe jo vetëm trashëgiminë kombëtare. Kryeministri shtoi se përfshirja e zonës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e shndërron projektin në një detyrim ndërkombëtar.
“Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar.
Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë”, tha Rama në podkastin “Flasim”.
Kujtojmë se banorët që preken nga projekti “TID Durrës” publikuan një qëndrim ku kundërshtojnë mënyrën e zbatimit të projektit dhe alternativat e paraqitura nga institucionet. Ata deklarojnë se gjatë një takimi me përfaqësues institucionalë, përfshirë Kryeministrin dhe Kryetaren e Bashkisë Durrës, u është bërë e qartë se projekti do të vijojë pa ndryshime.
Sipas banorëve, institucionet kanë paraqitur tre alternativa: pranimin e një çmimi shpronësimi më të lartë se ai fillestar, zhvendosjen në zona periferike të përcaktuara nga autoritetet ose sistemimin e tyre në një objekt të vetëm të zgjedhur nga Bashkia.
Banorët kundërshtojnë këtë qasje dhe pretendojnë se projekti përmban mangësi dhe shkelje procedurale. Ata theksojnë se disa prona nuk përfshihen në listën e shpronësimeve ose nuk kanë një ekspertizë të saktë vlerësimi. Sipas tyre, zbatimi i projektit në këto kushte cenon ligjshmërinë.
Në reagimin e tyre ata sqarojnë se propozimet e paraqitura nuk janë dakordësuar me komunitetin, se çmimi referencë përbën një çmim minimal dhe se çdo zhvendosje duhet të realizohet vetëm me pëlqimin e banorëve. Ata shtojnë se deri tani propozimet mbeten në nivel deklarativ.
Banorët kërkojnë shtyrjen e afateve ligjore për ekzekutimin e projektit, pezullimin e menjëhershëm të shembjeve dhe shqyrtimin e plotë ligjor të çdo rasti individualisht. Në të kundërt, paralajmërojnë përshkallëzim të protestës dhe intensifikim të reagimit publik dhe institucional, duke bërë të ditur se kanë nisur komunikime edhe në nivel ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Lini një Përgjigje