
Katër këshilltarë të PS nuk marrin pjesë në votim...
Me 51 vota pro, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar për shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar bashkie.
Edi Rama dhe Sali Berisha u bënë bashkë në këtë mbledhje, pasi këshilltarët e majtë dhe të djathtë bashkuan votat, duke qenë dakord që t’i propozohet qeverisë shkarkimi i kryebashkiakut me argumentin se ai ka tre muaj pa shkuar në zyrë. Tani vendimi i shkon në dorë Ramës, i cili do të marrë aktin final.
Ky zhvillim vjen pas ultimatumit që Edi Rama u dha më 11 shtator këshilltarëve të majtë. Kreu i PS kërkoi që ata të votojnë shkarkimin e Veliajt dhe të hapet rruga për zgjedhje të reja në kryeqytet.
Pas këtij ultimatumi, të gjithë u vunë në rresht, disa me hir dhe disa me pahir. Në mbledhje munguan Gazmend Paja dhe Joleza Koka. Kritik u shfaq edhe Aldo Merkoçi, një prej bashkëpunëtorëve të Veliajt. Ai tha se vendimi ishte i lehtë, por jo i drejtë, dhe se po zëvendësohej drejtësia me perceptimin. Pas fjalës së tij, u largua pa marrë pjesë në votim.
“Pyetja është nëse ne do të marrim një vendimmarrje të lehtë apo të drejtë. Apo mos ndoshta po e zëvendësojmë drejtësinë me perceptimin. Prokuroria dhe media e kanë bërë këtë hap. Se nuk ka kosto publike për ta. Por mendoni për një moment, do të donit ju të gjykoheshit vetë jo në bazë të fakteve, por në bazë të perceptimit? Vendimi sot është i lehtë dhe nuk kam ndërmend ta lehtësoj nga barra e drejtësisë. Minimumi që mund të bëjmë sot, në respekt të kryetarit, është të jemi të ndërgjegjshëm”, tha ai.
Mësohet se nuk mori pjesë as Alfred Muharremi, po këshilltar i PS. Pra 4 këshilltarë të majtë nuk u bënë pjesë e farsës dhe nëse PD nuk do bashkonte votat, Veliaj ndoshta nuk do shkarkohej, pa marr parasysh se 3 anëtarë në këshill janë të PSD.
Në votim, nuk mori pjesë as Fabjan Topollaj i Bindjes Demokratike, i cili gjatë fjalës së tij tha se procedura për shkarkimin e Veliajt është e gabuar.
Ajo që ra në sy ishte fakti se Këshilli Bashkiak i mohoi Veliajt të drejtën të dëgjohej. Ligji është i qartë: ai ka të drejtë të jetë prezent dhe të shprehet. Pak para mbledhjes, Këshilli e njoftoi se nuk kishte asnjë pengesë për praninë e tij, duke larë duart në një farë mënyre, ndërsa vetë Veliaj nuk kishte kohë të merrte leje për të qenë aty.
Vetë kryebashkiaku ka paralajmëruar se beteja nuk mbyllet këtu. Pasi Rama të firmosë aktin, ai do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese, dhe me këtë veprim do të bllokohet procesi për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Tiranë.
Pra, duket se sot është hedhur vetëm hapi i parë i një lufte të gjatë mes Ramës dhe Veliajt.
Emrat që nuk morën pjesë në votim
Joleza Koka
Eriona Bixho
Gazmend Paja
Eris Bejleri
Ervin Dushku
Alba Kepi
Aldo Merkoçi
Alfred Muharremi
Romina Kuko (larguar si këshilltare)
Tedi Blushi (larguar si këshilltar)
/Pamfleti
Po sikur z.Rama të ketë të njëjtin fat si z.Velija, pra të thirret në SPAK dhe të çohet në qeli, a ka kompetenca Këshilli i Ministrave ta shkarkoi Z.Rama?Unë them jo. Ndaj z.Rama nuk do ta shkarkoi z.Velija.