
Deri më tani Rama ka shitur Ahmetajn, Kokën, Bllakon, Tahirin dhe këdo që ka dalë nga rreshti. Të njëjtin mesazh dha dhe sot duke mos marrë asnjë përgjegjësi për skandalet e kësaj qeverie...
Kryeministri Edi Rama u është rikthyer sulmeve ndaj atyre që deri dje i kishte pranë tij. Pas 10 vitesh në pushtet, kryeministri ka filluar të bëjë “mea culpa” duke deklaruar se në qeverisjen e tij ka pasur udhëheqës që kanë punuar për xhepin e tyre.
Ai u ndal sot në Durrës në kuadër të tureve falënderuese që ka ndërmarrë, ku duket se dha një tjetër mesazh për të vetët. Deri më tani Rama ka shitur Ahmetajn, Kokën, Bllakon, Tahirin dhe këdo që ka dalë nga rreshti. Të njëjtin mesazh dha dhe sot duke mos marrë asnjë përgjegjësi për skandalet e kësaj qeverie.
“Kemi bërë gabime. Kemi bërë edhe gjërat për të cilat unë nuk jam krenar dhe do të dëshiroja shumë që të mos i kishim bërë. Nuk flas për ju që jeni këtu, as për Anin, as për Entonin. Flas për udhëheqësa të Partisë Socialiste. Flas për njerëz që kanë marrë gjithçka nga PS, por i kanë dhënë kosto në të gjithë këto vite. Flas për njerëz që kanë marrë detyra të larta, drejtimin e agjencive të rëndësishme dhe kanë turpëruar besimin dhe mbështetjen, flamurin tonë, familjen tonë”, tha Rama.
Kryeministri vijon ende me deklaratat se përgjegjësia është individuale, ndërkohë që në krye të qeverisë është vetë ai. Po ashtu ai paralajmëroi të vetët se do hidhen si “ushqim” për SPAK nëse kapen në afera.
“Në fund të ditës përgjegjësia është individuale por një familje, edhe familja e vogël, edhe familja e një kompanie apo skuadre sporti, edhe familja e një partie nuk mban përgjegjësi për atë që bën një individ që del nga shinat por për mënyrën si reagon në raport me problemin. Që do të thotë merr masa dhe vetëdijësohet që ajo gjë nuk do të përsëritet dhe të tjerët duhet të nxjerrin mësim. Ne kemi shumë mësime për të nxjerrë që të mund ta meritojmë këtë besim dhe këtë mbështetje”, u shpreh Rama.
Po ashtu ai nuk ka kursyer sulmet dhe akuzat ndaj opozitës. Sipas Ramës ata nuk kanë marrë as 250 mijë vota sepse të votat për kandidatët kundërshtarë janë mbledhur me kuç e me maç.
Lini një Përgjigje