Kryeministri Edi Rama komentoi nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi çështjet që lidhen me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, integrimin e Shqipërisë, por edhe debatin e ditëve të fundit për Zvërnecin.
I pyetur nga gazetarët për protestat e zhvilluara nga qytetarët, Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt konkret që mund të diskutohet apo të miratohet. Ai e cilësoi debatin e krijuar si pjesë të një “lufte hibride” dhe u kërkoi mediave perëndimore të verifikojnë faktet përpara se të raportojnë.
Sipas kryeministrit, në rrjetet sociale po përhapen pretendime të pavërteta se pas investimit që po diskutohet qëndron një marrëveshje mes tij, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Jared Kushnerit për të sjellë palestinezë në Zvërnec.
“Nuk ka kërkesa për t’u diskutuar sepse nuk ka ende një projekt për t’u miratuar. Kështu, së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim e diskutojmë projektin. Por nuk diskutojmë dot një projekt që nuk ekziston. Por po paraqitet në të gjitha mediat sociale në një luftë hibride kundër Shqipërisë, me narrativa të rreme se ky projekt nuk është projekt, por diçka e gatuar midis meje dhe Bibi Netanyahut përmes Jared Kushnerit për të sjellë palestinezët në Zvërnec”, tha kryeministri.
Ndër të tjera, Rama kritikoi raportimet e miadiave perëndimore, duke theksuar se duhet të bazohen të faktet dhe jo te spekulime.
Ai shtoi se synimi është realizimi i një projekti që respekton mjedisin dhe që mbështetet nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë.
“Dhe mendoj që media perëndimore duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse faktet kanë rëndësi dhe kanë rëndësi gjithmonë, sepse nuk ka një projekt, nuk ka arsye për t’u shqetësuar për aq sa ka të bëjë me projektin. Por edhe se arkitektët më të mirë në botë, inxhinierët më të mirë, janë angazhuar. Qëllimi është që të mos prekim mjedisin por të bëjmë diçka të jashtëzakonshme që do të jetë edhe një dhuratë nga shqiptarët për të gjithë Evropën”, përfundoi Rama.
Lini një Përgjigje