Politike 6 Prill 2023, 11:01

Rama nuk i ndal premtimet prag zgjedhjesh: Ushtarakët tanë do të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s

Shkruar nga Pamfleti
Rama nuk i ndal premtimet prag zgjedhjesh: Ushtarakët tanë do të
Kryeministri Edi Rama

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë nuk e la këtë rast pa e shfrytëzar për fushatë elektorale.

Ai tha se pagat do të rriten edhe për Forcat e Armatosura, madje Shqipëria do të jetë në mesataren e lartë të NATO-s brenda pak vitesh.

Sipas kreut të qeverisë, shpërblimi do të jetë jo vetëm mbi pagën minimale, por do të shkojë në rritje.

"Pagë dinjitoze por edhe një pension përkundër gradës dhe se do të kenë mundësinë të garantojmë kontributin e merituar për familjet e tyre, nga ana tjetër kjo që kurorëzojmë sot është një arsye shumë e fortë për vajza dhe djem që t’i bashkohen sot shpërblimi për ushtarin më të thjeshtë me arsimin më të ulët është një shpërblim i cili jo vetëm mbi pagën minimale por do të shkojë në rritje çdo vit se ne i kemi rritur pagat e forcave të armatosura dhe do t’i rritim. Do jemi në mesataren e lartë të NATO-s dhe kjo do të ndodhë jo pas 10 vitesh por me pak vitet që vijnë.", tha Rama.

Qeveria shqiptare zhvilloi ceremoninë për dhënien e gradës ushtarake "Kolonel" për sportistët kampionë të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë nderuar vendin në Lojërat Olimpike, apo edhe në kampionatet europiane dhe botërore. 

Kreu i qeverisë u shpreh se në këtë mënyrë kampionët shqiptarë dalin nga zona e braktisjes dhe harresës nga shteti.  

“Kampionët dhe kampionet shqiptare tanimë të dalë përfundimisht nga zona e errët e braktisjes dhe harresës nga shteti do të jenë në mes ushtarëve tanë, do të jenë në mes drejtuesve të tyre, do të jenë në mes të gjitha atyre përpjekjeve për ta ngritur më lart ushtrinë tonë duke e vënë forcën e shembullit të tyre dhe njëkohësisht shembullin e forcë së tyre në dispozicion të trajnimit dhe stërvitjes psikofizike të forcave tona”, u shpreh Rama.