TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Dhjetor 2025, 17:19

Rama zgjidh qesen për punonjësit e Shërbimeve Qeveritare, shtesa në pagë deri në 1.5 mln lekë në muaj

Shkruar nga Pamfleti
Rama zgjidh qesen për punonjësit e Shërbimeve Qeveritare, shtesa
Kryeministri Edi Rama

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme strukturën dhe nivelin e pagave për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

Ajo që bie në sy është fakti se për Drejtorin e kësaj drejtorie shtesa e pagës është 150 mijë lekë në muaj, ose 1.5 mln lekë të vjetra. Struktura e pagave përfshin nga niveli ‘specialist’ deri në ‘titullar institucioni’.

Shtesat mujore variojnë nga 5 mijë lekë deri në 150 mijë lekë në muaj, sipas pozicioneve.

Vendimi i plotë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

Vendosi

1. Miratimin e strukturës së pagës mujore për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.

2. Për pozicionet e nëpunësve nga “specialist” deri në “titullar institucioni”, kategoritë e klasave, shtesa e nivelit të kualifikimit që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës, si dhe shtesa për vjetërsi në punë, në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.

4. Përfitojnë shtesë për kushte pune nëpunësit, si më poshtë vijon:

a) Titullari i institucionit në masën 150 000 lekë/muaj;

b) Drejtori në Drejtorinë e Menaxhimit të Godinave Shtetërore, drejtori në Drejtorinë e Udhëtimeve dhe Akomodimit dhe drejtori në Drejtorinë e Eventeve dhe Trajtimit të Personaliteteve, në masën 40 000 lekë/muaj;

c) Shefi i sektorit të udhëtimeve, shefi i sektorit të akomodimeve, shefi i sektorit të projektimit dhe planifikimit të hapësirave, shefi i sektorit të administrimit dhe mirëmbajtjes, shefi i sektorit të mobilimit dhe infrastrukturës së brendshme, shefi i sektorit të godinave qeveritare, shefi i sektorit të ideimit dhe organizimit, shefi i sektorit të zbatimit dhe shefi i sektorit të trajtimit të personaliteteve, në masën 35 000 lekë/muaj;

ç) Shefi i sektorit të shërbimeve të përgjithshme në Kryeministri në masën 50 000 lekë/muaj;

d) Specialisti i udhëtimit, specialisti i akomodimit, specialisti inxhinier, specialisti arkitekt “interior design”, specialisti i restaurimit, specialisti i logjistikës/terrenit, specialisti i organizimit, specialisti i shërbimit në sektorin e trajtimit të personaliteteve dhe specialisti arkitekt projektues, në masën 30 000 lekë/muaj;

dh) specialisti i arkivit dhe protokollit në masën 5 000 lekë/muaj;

e) specialisti në sektorin e godinave qeveritare në masën 25 000 lekë/muaj.

Klasat e pagës, shtesat për vjetërsi në punë, si dhe shtesat për kushte pune të punonjësve mbështetës në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Vlera e pagës bazë për klasë dhe mënyra e llogaritjes së vjetërsisë për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet e administratës publike.

Vendimi nr.365, datë 16.6.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve dhe punonjësve të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Lini një Përgjigje